30 biznesmenë, tupani, vuvuzela, armiqtë: 30 minutat e Kurtit para gazetarëve dhe momenti kur e ‘ndezi motorin’

30 biznesmenë, tupani, vuvuzela, armiqtë: 30 minutat e Kurtit para gazetarëve dhe momenti kur e ‘ndezi motorin’

Në një konferencë 30 minutëshe, kryeministri Albin Kurti, foli për vendimet e sotme të Qeverisë – më i rëndësishmi, njoftimi për Projektligjin lidhur me çmimet e larta në vend dhe iu përgjigj një serie pyetjesh të gazetarëve.

Ndër më interesantja, por jo për kah rëndësia, ishte përgjigja e kryeministrit lidhur me vizitën disa ditore në Symi të Greqisë.

Gazetari e pyeti kryeministrin, se meqë ka qëndruar për disa ditë atje, ‘a mund të na thotë se të paktën, së shpejti mund të kemi një njohje nga Greqia’, dhe shkoi duke e specifikuar më tutje pyetjen, se ‘të paktën – a mund të themi se marrëveshja me Serbinë, nuk është më një kusht për njohjen e Kosovës nga Greqia’.

Interesante mjaft, ishte përgjigja e Kurtit. Ai tha se në Greqi më shumë ka takuar biznesnemë. Por, edhe më interesante se takimet, ishte arsyetimi i kryeministrit, se pse nuk e ka njoftuar opinionin publik për këto takime.

Lexoni të plotë, të gjithë deklaratën e transkriptuar nga Periskopi, të kryeministrit Kurti, për takimet me 30 biznesmenë në Greqi:

“Kam qëndruar në Greqi në dy konferenca të njëpasnjëshme në të njëjtin vend, sikurse edhe vitin e kaluar.

Përveç takimeve që kam pasur me zyrtarë shtetërorë, me politikanë të ndryshëm, diplomatë të shumtë, gjithashtu kam takuar afër 30 biznesmenë të ndryshëm për çështjen e investimeve në Kosovë, që janë një nevojë e madhe për ekonominë në vendin tonë.

Këta biznesmenë nuk kanë qenë të gjithë grekë, kanë qenë biznesmenë evropianë e amerikanë që janë në Greqi tashmë.

Përpjekjet më të mëdha që i bëj edhe jopublike, janë në fushën e investimeve të huaja.

Pra, që sa më shumë ta paraqes Kosovën si një vend atraktiv për investime.

Por këto takime, në pjesën më të madhe të tyre, nuk i bëj as me tupan e as me vuvuzela, për shkaks e është e dëmshme.

Në momentin që disa prej këtyre takimeve, do të publikoheshin se janë bërë me filan kompaninë, që do t’na ndihmojnë në fushën e infrastrukturës, energjisë, apo në fushën e prodhimit, s’do mend që jo pak kollaj, prej shumë armiqve të Kosovës, do të kontaktoheshin ata, dhe më pastaj ta nxijnë imazhin e Kosovës, sepse i kanë mundësitë e mëdha për këtë gjë dhe vullneti s’ju ka munguar kurrë dhe në këtë mënyrë ta vënë në hezitim investitorin e ardhshëm.

Investitoroët e huaj, ta keni parasysh, i karakterizon informacioni asimetrik.

Ai që dëshiron të investojë në Kosovë, kurrë nuk e ka as për së afërmi informacionin që Kosova e ka për veten.

Prandaj, duhet të jemi shumë të kujdesshëm që ta evitojmë cdo propagandë negative për vendin tonë tek ata.

Meqë ata e dinë se nuk dinë për vendin tonë sa ne, rrjedhimisht kollaj mund të ftohen dhe kollaj të hezitojnë, ngurrojnë, ta kenë një mendim të dytë a të tretë dhe të hezitojnë për investime.

Më shumë mund të them, sesa për takime politike, çështjen e investimeve e kam shfrytëzuar në këtë takim në Greqi”, tha Kurti, përcjell Periskopi. 

ÇKA tha tjetër Kurti në konferencë : 2 lajme të rëndësishme

Kurti paralajmëron se Qeveria nuk do ta paguajë rrymën për Veriun në dimrin që po vjen

Serbia nuk po i përgjigjet pozitivisht zbatimit të marrëveshjes – ose udhërrëfyesit së fundit për rrymën në veri, që u arrit në Bruksel nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviqi i Serbisë. Kështu, shkurt, sipas udhërrëfyesit kompania ‘Elektrosever’ parashihej që deri tani, t’ia dërgonte ZRrE-së, listat e konsumatorëve të energjisë elektrike në veri. Për këtë, kryemininistri Albin Kurti, në një konferencë për media sot pas mbledhjes së qeverisë, tha se qeveria nuk do të subvenciojë më rrymën në veri, në dimrin që vjen.

“Nuk mund të pritet që qeveria të subvencionojë energjinë e konsumuar në veri e të papaguar atje në dimrin që vjen. Në cmimin që ishin në dhjetor e janar të vitit të kaluar, të gjithë e kanë të qartë që nuk mund të ketë përsëritje. Brukseli e ka evidentuar që qasja destruktive e Serbisë, është faktor e fajtor për moszbatimin e udhërrëfyesit sic e parashihte marrëveshja.

ZRrE i kishte dy javë ta bënte licencimin, e bënë për dy ditë. Ata kishin dy javë afat ta sillnin regjistrin e konsumatorëve, nuk e bënë. Ne presim reagimin e Brukselit.

Qartazi Beogradi është në anën e kundërt të sjelljes tonë, kreative, konstruktive, pozitive, e proaktive.

Ka pasur të ndodhë këtë javë një takim mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel midis meje dhe presidentit të Serbisë, por sërish janë ata që kanë shtyrë këtë gjë.

Ata po shtyjnë dorëzimin e listave të konsumatorëve në veri, ata po shtyejnë takimet në Bruksel, pra janë ata që nuk iu përgjigjen zhvillimeve pozitive në Bruksel në raport me neve”, tha Kurti.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se nuk është në dijeni nëse do të shtrenjtohet sërish rryma për popullin kosovar.

“Unë nuk jam në dijeni për përgatitjet e kërkesave për ZRrE nga ana e operatorëve ekonomik. Ato shkojnë te ZRrE, besojmë se nga aty duhet të kemi një përgjigje shtetërore dhe profesionale”, tha Kurti në konferencë për media/Periskopi

 

Shpërndaje në: