Gërvalla iu tha deputetëve se sot mund të dalë para Komisionit, pastaj iu tha s’mundet se ka një ‘udhëtim urgjent’

Mungesa e ministres Donika Gërvalla për raportim në Komisionin e Integrimeve Evropiane, ka ngjallur replika mes anëtarëve deputetë të pozitës dhe opozitës. Deputetë të opozitës, anëtarë të Komisionit për Integrime Evropiane, madje edhe vet kryetarja Rrezarta Krasniqi, ka thënë se ishte vet ministrja Gërvalla që kërkoi të raportonte sot në Komision – duke e shtyrë […]
Elmi Reçica i PDK-së ka thënë se është papërgjegjësi e ministres mungesa nën arsyetimin se ‘kishte një çështje urgjente’.
“Ajo ka kohë edhe s’ka takime urgjente, qenë dashur të jetë këtu, sepse ka një farë iniciative nga një koleg i joni deputet për ta njohur një shtet dhe është dashur të jetë këtu, për t’i pritë ata që vinë. Ma urgjencsë sesa me na njoftë një shtet, nuk e di çka ka”, ka thënë Reçica, përcjell Periskopi.
Edhe deputetja Blerta Deliu ka kritikuar mungesën e znj.Gërvalla.
“Na nuk kemi asnjë agjendë se për cka zonja ministre, 12-13 orë, pa asnjë informim e detajim i del një takim urgjent, nuk mund ta quaj asgjë më shumë sesa papërgjegjësi të vijë të raportojë këtu për punën që është kryer”, ka thënë Deliu.
Deputetja e Vetëvendosjes, Abresha Kryeziu, ka arsyetuar mungesën e ministres Gërvalla, por për këtë mori sërish kritika, duke u quajtur madje ‘zëdhënëse e Gërvallës’.
“E nderuar, normale do të ishte, ju e morët përsipër, Komisioni e ka thirrë 3 herë dhe s’ka ardhë, tentuat sërish ta mbroni pse s’ka ardhë. Ju sigurisht e dini agjendën e saj dhe rëndësinë pse s’ka ardhë në Kuvend. Arsyetimi se ka një takim urgjent nuk është i qëndrueshëm”, ka thënë Reçica i PDK-së.
Por znj.Kryeziu sërish replikoi.
“Arsyetimi mund të mos jetë i rëndësishëm për ju, por jo për secalin deputet që është këtu”, ka thënë ajo.
E deputetja e AAK-së, anëtare e Komisionit, Time Kadrijaj, ka thënë se është e habitshme se si ministrja vet e ka caktuar datën dhe orën për raportim, e në fund njoftoi se nuk vjen.
“Ministrja e ka zgjedhë vet datën, vet orën dhe kemi shkelë procedurat si Komision dhe në fund s’ka ardhë”, ka thënë Kadrijaj, përcjell Periskopi.
Kryetarja e Komisionit, deputete Rrezarta Krasniqi, ka thënë Gërvalla kërkoi që të raportonte vet sot në Komision.
“Do t’ju informojmë për një datë tjetër shumë shpejt. Ne vet kemi vendosë bashkë me juve që deri më datën 21 me i dhënë afat ministres me raportu, ajo ka kërku me 22 dhe e kemi shty. Përgjegjësia është te ministrja e punëve të jashtme”, ka thënë Krasniqi.
“Fjala është për udhëtim urgjent, na nuk e dimë a ka takim zyrtar apo cfarë takimi ka ministrja”, ka thënë Krasniqi.
Lexo më shumë rreth kësaj teme: Kërkohet të dihet se ku ka shkuar urgjentisht ministrja Gërvalla: Zbulohet e-maili që ia çoi Komisionit












