Gjithçka që ndodhi në Samitin e Berlinit deri në këto orë

Në Berlin po mbahet Samiti i thirrur nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, të cilët, janë nikoqirë të samitit që kanë mbledhur liderë të vendeve të Ballkanit. Duke marrë shkas dhe shembull Marrëveshjen e arritur mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë pas një prolongimi shumëvjecar për cështjen e emrit, Merkel dhe […]
Në Berlin po mbahet Samiti i thirrur nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, të cilët, janë nikoqirë të samitit që kanë mbledhur liderë të vendeve të Ballkanit. Duke marrë shkas dhe shembull Marrëveshjen e arritur mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë pas një prolongimi shumëvjecar për cështjen e emrit, Merkel dhe Macron do të mblidhnin në Berlin presidentë e kryeministra të të gjitha vendeve të Ballkanit, shkruan Periskopi.
Çka ndodhi në pjesën e parë të ditës së sotme në Berlin?
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, në një konferencë të përbashkët në orët e paradites të së hënës, kanë folur shkurt para mediave. Këtë konferencë, ata e kanë mbajtur pas takimit që zhvilluan në Ambasadën e Kosovës në Gjermani, shkruan Periskopi.
Kryeministri Ramush Haradinaj u pyet për draftin që qarkullonte në media, lidhur me atë që do të quhej si deklaratë e përbashkët nga samiti për të cilën tha shkurt që ‘neve askush ende asgjë nuk na ka thënë’.
E presidentin Thaci, gazetarët e pyetën se si e komentonte deklaratën e Haradinajt, i cili nga Berlini ‘falënderoi Merkelin për qëndrimin e saj rreth idesë së kufijve’. Thaci poashtu ishte i shkurtër por me mesazhin që ‘pa SHBA’të nuk bëhet asgjë në dialog me Serbinë’.
“Edhe Lugina do t’i bashkohet Kosovës, e kështu…’ – deklaroi Thaçi shkurtimisht në atë konferencë.
Duke qenë se ishte një kohë e gjatë që kur Thaçin dhe Haradinajn nuk po i shihnin bashkë – të paktën jo në një konferencë – gazetarët në Berlin pyeten dyshen e parë të shtetit se a i kishin koordinuar veprimet e tyre për në Berlin. Ata nuk u përgjigjen. Ndërkaq gazetarët iu përgjigjen vetes duke thënë se ‘si duket qenkan koordinuar’.
Derisa Thaçi dhe Haradinaj po vazhdonin të intervistoheshin nga medium prestigjioze ndërkombëtare, në anën tjetër edhe presidenti serb Aleksandër Vuciq, po flsite nëpër media të huaja. E mesazhet e tij ishin, që ‘Serbia nuk do ta vazhdojë dialogun pa u hequr taksa”. Kur jemi te taksa, presidenti Hashim Thaçi ishte po ashtu në fokus të mediave me një deklaratë pikërisht për taksën, ku ai thotë se ‘nëse Serbia nuk ndryshon, do të duhet të shtohen masat ndaj saj’.
Ka qenë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, ai që është paraqitur nga Berlini me mesazhin se Kosova ‘ do të jetë fokus kryesor i këtij takimi”.
Takimet e para me Merkelin dhe Macronin
Ka qenë presidenti Hashim Thaci ai që ka publikuar i pari fotot me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe me presidentin francez, Emanuel Macron.
Pas tij, edhe kryeministri Ramush Haradinaj publikon fotot nga takimi i parë, e pas tyre edhe presidenti serb Aleksandër Vuciq.
Më pas, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të publikonte edhe një fotografi brenda takimit – hapjes së Samitit – ku edhe publikonte në FB pjesë nga fjalimi i tij në hapje të Samitit.
Aty, Thaci u thotë pjesëmarrësve se ‘është shumë i rëndësishëm vazhdimi i dialogut Kosovë – Serbi’ por se një nga ‘vendimet e para që duhet ta marrë BE’ja është liberalizimi i vizave për Kosovën’.
“Në hapjen e Samitit të Berlinit fola për bashkëpunimin rajonal dhe pajtimin. Situata dhe relacionet janë në nivel të ulët, prandaj në rrethana të tilla shumë iniciativa të mira nga Procesi i Berlinit kanë mbetur pa u realizuar. Kjo situatë e keqe nuk mund të tejkalohet vetëm me deklarata dhe premtime abstrakte. Duhen vendime të guximshme nga shtetet e rajonit, të cilat nuk do të ndodhin për aq kohë sa nuk ka vendime të guximshme dhe strategjike nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare. Edhe pajtimi do të jetë i pamundur për aq kohë sa Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Gjermania dhe Franca kanë mundësi ta marrin lidershipin për këto vendime të guximshme. Por, një prej vendimeve të para që Bashkimi Evropian do duhej ta merrte është liberalizimi i vizave për qytetarët tanë. Kosova padrejtësisht ka mbetur vendi më i izoluar në Evropë. Qytetarët e Kosovës janë populli më proevropian në rajon dhe është shumë e padrejtë të vazhdojnë të diskriminohen!”, njoftoi Thaci në Facebook.
Samiti i Berlinit vazhdon me një darkë me të gjithë pjesëmarrësit, ku sipas shumë agjendës së publikuar në mediat kosovare, parashihet të përfundojë në orën 10 të mbrëmjes. /Periskopi/












