Hajrullah Çeku i dha tenderin njëburimor mbi 1.3 mil kompanisë që u regjistrua 18 ditë para shpalljes së kontratës

Hajrullah Çeku i dha tenderin njëburimor mbi 1.3 mil kompanisë që u regjistrua 18 ditë para shpalljes së kontratës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e udhëhequr nga ministri, Hajrulla Çeku, ka ndarë mbi 1.3 milion euro investim për punimet në stadiumin “Fadil Vokrri”. Tenderi për këto punime është bërë me procedurë negocimi, pa njoftuar paraprakisht për kontratë. Një hulumtim i Periskopit ka gjetur se kompania e cila u shpërblye me kontratë nga MKRS, është një kompani e regjistruar vetëm 18 ditë para se ta fitonte këtë tender.

Enis Rrustemi – Periskopi

Tashmë kur Qeveria Kurti ka hyrë në vitin e saj të fundit qeverisës, nëpër ministri është rritur numri i dhënies së tenderëve, sidomos atyre njëburimor.

Së fundmi, edhe Ministria e udhëhequr nga Hajrullah Çeku, ka nënshkruar kontratë me një grup operatorësh ekonomik nga Turqia me emër: HATKO SPORTS INTERNATIONAL L.L.C.; HATKO Dokuma Tekstil Insaat Taahhut ve Ticaret Ltd. Sti.; Hatko Uluslararasi Spor Teknolojileri A. S.

Kompania “HATKO SPORTS INTERNATIONAL L.L.C” është një kompani e regjistruar në ARBK më 26.02.2024 me pronar, Ali Gusan HATKO.

Kompania HATKO SPORTS INTERNATIONAL L.L.C, e regjistruar më 26.02.2024

Kompania HATKO SPORTS INTERNATIONAL L.L.C, e regjistruar më 26.02.2024

Ali Gusan Hatko, Agim Ademi dhe ministri Hajrullah Çeku

Ali Gusan Hatko, Agim Ademi dhe ministri Hajrullah Çeku

Në dokumentet e gjetura nga Periskopi, shihet se vetëm 18 ditë më pas, MKRS njofton mbi vendimin që ka marrë për ta shpërblyer në tenderin mbi 1.3 milionë euro këtë kompani.

Njoftimi mbi vendimin e MKRS-së, se kompani fituese e këtij tenderi është HATKO SPORTS INTERNATIONAL L.L.C

Njoftimi mbi vendimin e MKRS-së, se kompani fituese e këtij tenderi është HATKO SPORTS INTERNATIONAL L.L.C (DOKUMENT)

Nënshrkimi i kësaj kontrate nga pronari i kompanisë dhe ministri Hajrullah Çeku u dha më 19.03.2024

Nënshrkimi i kësaj kontrate nga pronari i kompanisë dhe ministri Hajrullah Çeku u dha më 19.03.2024

Periskopi ka arritur të sigurojë edhe çmimet e blerjes së makinerive/pajisjeve që do të përdoren për punimet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Siç ka parë Periskopi,kompania fituese ka blerë me çmimin më të lartë të mundshëm zhavorrin. Në përshkrimin që ka bërë kjo kompani shihet se zhavorrin e ka blerë me çmim prej 20 euro. Aty do të përdoret në sipërfaqen e fushës për 828 m2. E gjitha kjo pjesë, do t’i kushtojë hiç më pak se 16,560.00 euro.

Në pjesën tjetër, Furnizim dhe mbushje me rërë të pastër, të imët 0.2mm. Rëra duhet të jetë adekuate për vendosjen e Barit Hibrid me trashësi 25+5 cm sipas përshkrimit teknik të materialeve ca 2484 m2 – ka blerë me çmim 20 euro, ku gjithsej do t’i kushtojë 49,680.00 euro.


Kur dalim tek makineritë, kjo kompani ka blerë kositëse bari të firmës “HONDA”, me çmim 1,250.00 euro. Ajo ka blerë dy sosh prej tyre, ku gjithsej do të kushtojn 2,500.00 euro.

Më poshtë mund të shihni edhe çmimet e makinerive tjera.

Kohëzgjatja e kontratës dhënë nga MKRS-ja është në 4 muaj.

“Ekzekutimi i punëve ndërtimore për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor] të arkitekturës dhe inxhinierisë, për ndërtimin e sistemit të ri të fushës së lojës, në përputhje rregulloret, udhëzimet teknike dhe produktet e specializuara për infrastrukturë të stadiumeve, të miratuara nga UEFA, në Stadiumin ‘Fadil Vokrri’, në Prishtinë. Punët do të zbatohen në mënyrën më cilësore sipas kërkesës dhe specifikimit; bazuar në legjislacionin, rregulloret, normat standardet dhe kodet teknike [vendore dhe ndërkombëtare] në fuqi; në kufi të buxheteve dhe brenda afateve kohore të përcaktuara”, u tha në përshkrimin e kontratës së dhënë nga MKRS.

Vlen të theksohet se për këtë çështje, shqetësim ka ngritur edhe deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili ka thënë se Prokuroria e Shtetit duhet të hetojë këtë kontratë me vlerë 1.3 milionë euro, ku sipas tij shuma e këtij tenderi nuk është as reale.

“Unë e kam ngritur në Kuvend këtë zhvatje, vjedhje, korrupsion të Qeverisë dhe kam kërkuar që Prokuroria të hetoj këtë rast, ku u “tretën” 1 milion euro me kontratën një burimore? Si u transferuan paret nga MKRS në OJQ dhe si u formua komision i përbashkët MKRS-FFK, me qëllim zhvatjen e 1 milion eurove”, ka shkruar ai ndër të tjera.

Kujtojmë se Kombëtarja e Kosovës e fillon kampanjën garuese në muajin shtator, saktësisht në Ligën e Kombeve me ndeshjen si vendas ndaj Rumanisë, që i bie se stadiumi do të jetë në kohë për ndeshjet.

Ky është edhe fundi i një epoke të turpshme të lloçit në “Fadil Vokrri”, ku dihet se futbolli kosovar ishte bërë gaz i botës në vitin e kaluar.

Në fund të nëntorit të vitit të kaluar stadiumi u mbyll, pasi UEFA nuk e kishte lejuar Ballkanin të luante aty në Ligën e Konferencës. Fatkeqëisht, Kosova tash e sa vite ka vetëm një stadium në dispozicion për t’i pritur ndeshjet kombëtare. /PERISKOPI/

 

Shpërndaje në: