Humbës i vitit 2019 sipas Periskopit: Ramush Haradinaj

Humbës i vitit 2019 sipas Periskopit: Ramush Haradinaj

“Kah po shkon o-moj zanë,” këndonte kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në emisione televizive politike. Në fakt, me këngët e tij që këndoi gjatë këtij viti sa ishte kryeministër, Haradinaj mund ta bënte një koncert të plotë, por në të cilin zor se do të merrte pjesë dikush tjetër përveç anëtarëve të AAK-së.

Qytetarët e Kosovës që votuan z.Ramush Haradinajn në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2017 mund të mos e kenë ditur se po e votonin një fanatik të këngës popullore. Fundja, ai nuk kishte premtuar se do t’ia kriste këngës kur nuk do të kishte se si t’i arsyetonte vendimet e tij skandaloze qeverisëse. As z.Kadri Veseli, mund të mos e ketë ditur një gjë të tillë kur e vuri si kandidat për kryeministër, bile edhe të partisë së tij (PDK).

Por, ja që Haradinaj tejkaloi premtimet e tij zgjedhore. Argëtoi qytetarët falas me zërin e tij buçitës.

Gjatë këtij viti, në zyrën e kryeministrit kishin qenë shumë familjarë, halla e teze e pjesëtarë të farefisit. Natyrisht, edhe disa zyrtarë të BE-së. Por, më së shpeshti zyrën e kryeministrit, zyrën tonë ‘ovale’ por që nuk është ovale, e kishte vizituar këngëtari i njohur i muzikës ta-lla-va, Labinot Tahiri.

Haradinaj ft. Labi, një duet që e pamë shpesh në zyren e kryeministrit

Vetëm gjatë muajve qershor e korrik, Tahiri kishte qenë në zyrën ku mendohet se do të ulet së shpejti Kurti, plot pesë herë. Madje, ky i fundit i kishte shkuar në zyrën e tij edhe për t’i uruar ditëlindjen.

Në fund të vitit të kaluar, Haradinaj kishte vendosur tarifën 100 për qind për mallrat e importuara nga Serbia – si kundërgoditje dëshpërimtare për mos-arritjen e anëtarësimit të Kosovës në Unesco.

Haradinaj shpesh dremiste gjatë seancave parlamentare

Por, çka i llogaritet si humbje e madhe z.Haradinaj, ishte pamundësia e plotë për të arsyetuar një veprim të tillë para aleatëve tanë ndërkombëtarë. Belbëzimet e tij nëpër takime që kalonin në nervoza të pakrye, shkuan aq larg sa ShBA-ja nuk i dha vizën për një vizitë në atë vend, ndërkohë që ishte qortuar edhe nga tashmë ish përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini.

Më e keqja megjithatë na erdhi në një formë edhe më brutale. Çmimet e konsumit u rritën ndaj vetë qytetarëve tanë, me shumë biznese që e pësuan keq, ndërkohë që vazhdoi edhe më egërsisht fushata e Politikës së Jashtme të Serbisë për çnjohje të Pavarësisë së Kosovës. Deri tash, raportohet se i kemi humbur 17 sosh.

Duke i parë të tjerët hapur shtrembër, nuk mund të ketë negociata konstruktive

Sidoqoftë, sherrin Haradinajt ia pamë edhe sa i përket imazhit tonë te vendet aleate. Me pamundësinë e tij për të arsyetuar të ashtuquajturën ‘taksë 100 për qind’, Haradinaj e bëri Kosovën të dukej si një vend agresiv, ndërsa Serbinë si një vend të pafajshëm. Dhe kjo e fundit, i ndërpreu negociatat.

I trimëruar nga veprimi i tij kundër Serbisë, kryeministri në detyrë i Kosovës vendosi të jepte dorëheqje më 19 korrik pasi i erdhi një ftesë nga Gjykata Speciale. Por, arsyetimi se po jepte dorëheqje shkaku që nuk donte ‘ta njolloste Kosovën’ me një kryeministër me ftesë nga ‘Specialja’ u dëftye si i rremë vetëm pak ditë më vonë kur ai vendosi të garonte sërish për kryeministër.

Dhe, çka përdori në fushatën elektorale? Pikërisht taksën 100%. AAK-ja kishte moton “Për Shtet 100%” ndërsa Haradinaj shprehej fillimisht i bindur se do të dilte i pari. Nuk doli as i pari, as i dyti, as i treti, por i katërti me vetëm 11,51 për qind.

Haradinaj ia fut vrapit duke lënë të stepur qytetarët, gazetarët e vartësit.

Vetë Haradinaj ndërkohë i mori vetëm 76 mijë e 163 vota, duke qenë mbi 100 mijë vota më poshtë se Albin Kurti, gati 100 mijë vota më poshtë se Vjosa Osmani, 50 mijë më pak se Kadri Veseli, dhe vetëm 4 mijë më shumë se Glauk Konjufca.

Bordi redaktorial i Periskopit shpall humbës të vitit 2019 pikërisht z.Ramush Haradinaj, të cilit i uron një vit më të mirë më 2020. /Periskopi

Shpërndaje në: