Krejt çka dihet deri më tani për vrasjen e gruas në Pejë nga bashkëshorti i saj

Krejt çka dihet deri më tani për vrasjen e gruas në Pejë nga bashkëshorti i saj

Një ngjarje tronditëse në orët e para të ditës së sotme ka ndodhur në Pejë, ku Edmond Lajçi dyshohet se vrau gruan e tij. Siç bën të ditur Policia dhe Prokuroria, tashmë i dyshuari është arrestuar për ngjarjen e rëndë që ndodhi midis qytetit të Pejës, shkruan Periskopi.

Nga raportimet në media, thuhet se ishte vet Edmond Lajçi ai i cili u dorëzua në Polici dhe raportoi për vrasjen ndaj bashkëshortes në banesën ku jetonin në Pejë.

Sipas raportimeve, Lajçi ishte i dënuar në vitin 2021 me 400 euro gjobë për dhunë në familje.

Për Periskopin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Driton Rugova ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen e Gjyljeta Ukellit.

“Sot rreth orës 08:15, Policia është informuar se në rrugën Bill Clinton në Pejë, ka ndodhur një rast, Policia menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjës gjithashtu edhe ekipi mjekësor të cilet kanë konstatuar vdekjen e viktimës ( femër), i dyshuari këtij rasti është arrestuar dhe ndodhet ne objektet e Stacionit Policor në Pejë”, ka thënë ai.

Edhe Prokuroria Themelore e Pejës është deklaruar në lidhje me rastin. Në një përgjigje për Express, zëdhënësi i kësaj prokurorie Shkodran Nikçi tha se është sekuestruar edhe arma me të cilën dyshohet se është kryer krimi.

“Kryeprokurorit dhje Prokurori i krimeve të rënda së bashku me të gjitha njësitet policore relevante janë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se bashkëshorti e ka vrarë gruan e tij. I dyshuari është arrestuar dhe i është sekuestruar arma, ndërsa në vendin e ngjarjes janë duke u kryer të gjitha hetimet e nevojshme. Jemi në pritje të ekipit të mjekësisë ligjore për të marrë trupin e pajetë”, ka thënë Nikçi.

Për rastin tronditës, ka reaguar edhe Institucionet e larta shtetërore.

Presidentja Vjosa Osmani tha se të gjithë duhet që të bëhen bashkë për tra ndalur vrasjen e grave dhe vajzave në Kosovë.

“Fatkeqësisht, sot të gjithë jemi zgjuar në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duhet të ndalet me çdo kusht. Dhe, mënyra e vetme për ta ndaluar atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet, e si komb. Rizgjohemi sërish në këmbë kundër këtij fenomeni sepse nuk jemi jetë vajzash e grash për të humbur”, tha Osmani.

Osmani tha se kjo ngjarje ndodhi një ditë pas nisjes së edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqe dhe Siguri, ku u diskutua për dhunën ndaj grave.

“Ju bëj thirrje të gjithëve, aktivistë të shoqërisë civile, institucione të sigurisë e drejtësisë, qytetarë, gra e burra bashkë që të ndalim një herë e përgjithmonë dhunën mbi bazë gjinore, që po e njollos shtetin tonë dhe mund ta shkatërrojë atë përbrenda”, shtoi Osmani.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se është e patolerueshme se si brenda 4 ditëve u vranë dy gra nga bashkëshortët e tyre.

Lexo edhe: 

Miftaraj, Haxhiut: Cila është përgjegjësia juaj – a përfundon vetëm me shkrime në rrjetet sociale si me qenë pjesëtare e shoqërisë?

Reagim ka pasur edhe nga nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila shprehet e shqetësuar për ngjarjet e tilla tronditëse në vend. Ajo thotë se situata është alarmante.

E shokuar për vrasjen në Pejë, ka reaguar edhe deputetja Blerta Deliu e cila ka përmendur edhe faktin se si kjo ngjarje e tmerrshme ndodhi edhe në kohën kur pikërisht në Kosovë po mbahet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

 

Shpërndaje në: