Ministër Liburn Aliu shkollon djemtë në kolegjet më të shtrenjta në Kosovë

Ministër Liburn Aliu shkollon djemtë në kolegjet më të shtrenjta në Kosovë

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu u ofron një shkollim gogja luksoz fëmijëve të vet. Dy djemtë e Liburnit studiojnë në dy nga kolegjet më të famshme ndërkombëtare në Kosovë, por edhe më të shtrenjta njëkohësisht. Veç për një vit shkollor llogaritet që Aliut t’i bie të paguajë rreth 13 mijë euro për Enenë e Glaukun…

Ministri i Qeverisë Kurti si duket nuk po kursen, e besa edhe po ka për të investuar në shuma të majme për shkollimin e dy djemve të tij Ene dhe Glauk Aliut. Njëri ndjek mësimet në Kolegjin Amerikan të Kosovës (AUK) dhe tjetri në Shkollën Amerikane të Kosovës (ASK). Për të dy, shpenzimet llogaritet të kapin shifrën e rreth 13 mijë eurove në vit.

Periskopi ka hulumtuar në faqet zyrtare të këtyre dy kolegjeve dhe ka kontaktuar direkt me telefon ato, ku kemi kuptuar  se veç për një semestër në AUK shuma mesatare për një drejtim të caktuar kushton mbi 3 mijë euro (viti mbi 6 mijë euro). Ndërkaq kosto e ngjashme del të jetë edhe ajo në ASK, ku veç një vit shkollor kapë shifrën prej 6 mijë e 500 eurove.

Cila është pasuria e ministër Aliut?

Sipas raportit të Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), ministër Liburn Aliu për vitin 2021 ka deklaruar të ardhura mijëra eurosh, por në të njëjtën kohë edhe detyrime financiare deri në fyt.

Aliu ka të deklaruara tri vende pune, atë si deputet i Kuvendit të Kosovës (tash ministër, por AKK ende nuk ka publikuar pasurinë për vitin 2022), si profesor në Kolegjin UBT dhe si anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, që në total të hyrat vjetore  rrjedhëse rezulton t’i ketë mbi  35 mijë euro veç prej këtyre pozitave që ushtron, pa llogaritur të ardhurat e bashkëshortes së tij.

Nuk duhet harruar as banesën në lagjen luksoze ‘’Marigona Hill’, të cilën Aliu e ka deklaruar po ashtu në AKK.

Çka shiste Vetëvendosje sa ishte në opozitë?

‘Duaje tënden’ – ishte një fushatë e para disa viteve e Lëvizjes Vetëvendosje, përmes së cilës promovonin produktet vendore e madje në diskursin e tyre publik kishte deklarata të atilla kundër jetesës së shtrenjtë të pushtetarëve, e veçanërisht ngritjes dhe besimit në insitucionet publike arsimore, të cilat në këtë rast nuk i zgjodhën fëmijët e ministër Aliut.

Madje, Vetëvendosje në momentin që erdhi në pushtet, arsimin e lartë e bëri falas për të gjithë studentët e Republikës së Kosovës.

Kur jemi tek kolegjet private, Periskopi gjatë javës raportoi edhe për lidhjen e ministër Liburn Aliut me institucionin arsimor privat, UBT, me të cilin ka marrëdhënie pune si profesor. Përtej kësaj, ministri njoftoi pikërisht  për nënshkrimin e një marrëveshjeje me këtë kolegj, gjë që u cilësua si konflikt interesi. Për këtë, fjalën e vet e tha edhe Agjencia Kundër Korrupsionit se do ta trajtojnë rastin./PERISKOPI/

Shpërndaje në: