Ministria e Infrastrukturës nuk lejon qasje në Raportin e Auditorit për tenderin 16 milionësh

Ministria e Infrastrukturës nuk lejon qasje në Raportin e Auditorit për tenderin 16 milionësh

Njësia e Auditimit të Brendshëm të Ministrisë së Infrastrukturës tashmë ka dorëzuar te organet e brendshme Raportin e Auditimit për tenderin mbi 16 milionësh të mirëmbajtjes verore dhe dimërore të dy autostradave të Kosovës. Periskopi ka kërkuar qasje në këtë raport, por i është refuzuar kërkesa nga ana e ministrisë me arsyetimin se është kofidencial dhe për përdorim veç nga menaxhmenti i lartë i ministrisë, në  rastet e menaxhimit të rrezikut dhe proceseve të kontrollit. Pa marrë parasysh gjetjet që mund të ketë raporti, Zyra e Prokurimit të ministrisë ka bërë një veprim të kundërligjshëm lidhur me këtë tender para dy ditëve.

Njësia e Auditimit të brendshëm e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka dorëzuar Raportin për auditimin e procedurës tenderuese për Mirëmbajtjen e Autostradave “Mirëmbajta dimërore dhe verore e autoudhës A7 (Ibrahim Rugova) -lot 1 dhe 2. Mirëmbaja dimërore dhe verore e autoudhës (Arbër Xhaferi) -lot 3 dhe 4” ,  në javën e kaluar. Periskopi ka mësuar se raporti ka evidentuar disa shkelje nga ana e prokurimit të ministrisë lidhur me këtë lëndë.

Bazuar në Ligjin NR. 06/L-081 Për Qasje në Dokumente Publike, Periskopi ka kërkuar që të ketë qasje në këtë raport. MMPHI që udhëhiqet nga ministri Liburn Aliu nuk ka refuzuar këtë kërkesë, por nuk kanë dhënë as arsyetim të qëndrueshëm, të paktën jo bazuar mbi nenet e këtij ligji i cili e përcakton qartë se kur mund të refuzohet një kërkesë për qasje në dokumente publike.

“Me qëllim të përgjigjes në kërkesën tuaj për lejimin në qasje në dokumente publike të parashtruara më 24 qershor 2022 në Raportin e auditimit të cilin e kanë hartuar zyrtarët e ministrisë për auditimin e procedurës tenderuese: “Mirëmbajta dimërore dhe verore e autoudhës A7 (Ibrahim Rugova) -lot 1dhe 2. Mirëmbaja dimërore dhe verore e autoudhës (Arbër Xhaferi) -lot 3 dhe 4” (dt. 22 Korrik 2022) ju informojmë se, aktivitetet e Njësisë së Auditimit të Brendshëm për shërbime sigurie (jo auditime të rregullta), janë aktivitete të përcaktuara në Standardet Ndërkombëtare për Praktikën Profesionale të Auditimit të Brendshëm (Standardet), të cilat shpeshherë kërkohen nga menaxhmenti i lartë i MMPHI me qëllim që, t’i ofrohen informacionet e nevojshme lidhur me aktivitetet e caktuara, që kanë të bëjnë me menaxhimin e rrezikut dhe proceseve të kontrollit. Pas shqyrtimit të kërkesës suaj, ju informojmë se, angazhimet e NJAB dhe komisioneve profesionale për trajtimin e çështjeve të caktuara (bazuar në kërkesat e menaxhmentit) për vlerësimin objektiv dhe për të ofruar një opinion ose konkluzion të pavarur në lidhje me një proces, trajtohen si raporte konfidenciale dhe, për përdorim vetëm nga menaxhmenti i lartë i MMPHI, në menaxhimin e rrezikut dhe proceseve të kontrollit (përfshirë edhe vendim marrjen)”, thuhet në refuzimin e ministrisë.

Periskopi është në pritje të një përgjigje tjetër të ministrisë, nga e cila ka kërkuar që të përmendet konkretisht neni i Ligjit që nuk lejon qasje në këtë dokumente, dhe pse, pasi ky Ligj është shumë i qartë në këto raste. “3.1. dokumenti publik i kërkuar ka të bëjnë me shpenzimet e parasë publike”.

Pa marr parasysh ka apo jo të gjetura raporti, ministria ka bërë një veprim të kundërligjshëm para dy ditësh lidhur më këtë tender që peshon mbi 16 milionë euro. Më datë 28 qershor, prokurimi i ministrisë ka ngarkuar një dokument në E-prokurim tek kjo procedurë tenderuese, i cili ka të bëjë më “njoftim për dhënie të kontratës”. Në këtë dokumente, shihet që janë rekomanduar për kontratë kompanitë e njëjta, sikurse herën e parë. Pra, janë rekomanduar për kontratë:

Lot 1 e ka fituar Grupi i kompanive me lider “Lika Company” SHPK & “Lika Trade”.

Lot 2: Grupi i kompanive me lider  kompaninë “2A Group” SHPK & NNT  “ABC” SHPK & “B CORP” SHPK & “JUBICA” SHPK.

Lot 3. Grupi i kompanive, me lider kompaninë “Damastion Project” Shpk & “Via” & “Company Eskavatori”.

Lot 4. Grupi i kompanive me lider kompaninë “Arbotec” SHPK & “Arbotec GMBH” –Dega në Kosovë.

Ky veprim i prokurimit ka qenë i kundërligjshëm, bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik. Kjo ngase, më datë 27 qershor, udhëheqësi i prokurimit e ka bërë pezullimin e procedurës prokuruese, mbi bazën e disa ankesave që kanë bërë disa kompani në kohën kur ishte bërë rekomandimi i parë për kontratë. Pasi ministria kishte shpallur fituesit, disa kompani nuk janë pajtuar me atë vendim dhe kundruall ligjit janë ankuar në ministri. Ky institucion pasi ka pranuar ankesat ka nxjerr vendim për pezullim të procedurës prokuruese deri në shqyrtimin e ankesave të tyre.

“Autoriteti kontraktues do të shqyrtojë kërkesat për Rishqyrtim brenda 3 dite pune nga data e dorëzimit të aplikimit”, thuhet në vendimin e pezullimit.

Siç ka parë Periskopi, ministria nuk ka shqyrtuar fare ankesat, kjo për faktin se nuk ka një dokumente të ngarkuar në E- prokurim që e dëshmon këtë. Por, në mënyre arbitrare, ministria ka rekomanduar për kontratë kompanitë e njëjta, të cilat edhe mund të jenë të përgjegjshme. Por, Ligji i Prokurimit Publik nuk e lejon assesi një veprim të tillë që të nxjerrët vendim për rekomandim për kontratë, po u hedhë poshtë ankesat e parashtruara nga kompanitë. Ndryshe nuk do të kishte asnjë kuptim as vendimi i ministrisë për pezullim të aktivitetit të prokurimit.

Sido që të jetë, kjo shkelje nuk do të jetë pjesë e Raportit të auditimit, pasi ai tashmë është protokolluar.

Periskopi ka publikuar disa shkrime deri më tani lidhur më këtë tender. /M.B –PERISKOPI/

Tenderi 16 milionësh: Durmishi paradite i lëshon referenca kompanisë, pasdite ia përmend Prokurorinë

Shpërndaje në: