Prishja politike shkakton probleme pronësore mes anëtareve të PSD-së dhe Hysen Durmishit

Periskopi.com Lajme

Ndarja politike mes dy grupeve të Lëvizjes Vetëvendosje në fund të vitit 2017, i ka shkaktuar vonesa në zgjidhjen e një kontesti pronësor të disa aktivistëve të Partisë Socialdemokrate me një pronë familjare të Hysen Durmishit.

Toka e babait të zëvendësministrit të Infrastrukturës, në sipërfaqe prej tre hektarësh, është në pronësi joformale të 16 vetave, përfshirë disa aktivistë të PSD-së.

Dalja nga Lëvizja Vetëvendosje dhe mungesa e komunikimit ka bërë që ata të mos arrijnë të ndajnë parcelat siç kishin paguar për to në vitin 2011, raporton Paparaci.com, në bashkëpunim me portalin Periskopi.

Parcela tre hektarëshe, për të cilën raportuan sot Paparaci.com dhe portali Periskopi, ndodhet mes Mushitishtit të Suharekës dhe Brezovicës, në zonën e Dollocit.

Kjo sipërfaqe toke ishte blerë bashkërisht nga disa nga figurat më të njohura të Lëvizjes Vetëvendosje para dhjetë vitesh. Por, për t’ju ikur komplikimeve toka e blerë ishte bartur në emër të një pronari të vetëm. Kishin zgjedhur të vendosen mbi emrin e Ilaz Durmishit, babait të Hysen Durmishit, për shkak të prejardhjes së tij nga ajo zonë.

Paparaci ka siguruar emrat e 16 aktivistëve që kishin paguar për tokën në Dollc, por që ende nuk kanë arritur ta përkthejnë pronën e blerë.

Në listën prej 16 vetash figurojnë anëtarë aktual të partisë në pushtet: kryeparlamentari Glauk Konjufca, ministri Liburn Aliu, Erzen Vraniqi dhe bashkëshortja e tij, aktivistët Milot Kelmendi e Skender Jaha, si dhe Fatban Bunjaku, bashkëshorti i ministres në detyrë të Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku.

Për pjesëmarrje në blerjen e tokës kishte paguar edhe zv/ministri Hysen Durmishi.

Ish-deputetja Aida Dërguti, e ndarë nga LVV-ja, po ashtu figuron si bashkëpjesëmarrëse në blerjen e tokës, bazuar në informatat që ka siguruar Paparaci.com.

Ajo, në deklarimin e pasurisë pranë AKK-së në vititn 2017 kishte deklaruar hise prej shtatë ari tokë në parcelën që formalisht figuron në emër të babait të Hysen Durmishit.

Të dorëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje gjashtë vjet pas blerjes së tokës dhe të bashkuar me PSD-në, Nol Nushi, Adem Megjuani dhe vëllai i tij Agron Megjuani kishin paguar për përvetësimin e tre hektarëve tokë në Dollc.

Ata, ende nuk kanë arritur të formalizojnë ndarjen e parcelave sipas marrëveshjes që kishin bërë me njëri-tjetrin në vitin 2011.

Paparaci.com ka tentuar të kontaktojë me personat e përfshirë në blerjen e tokës, por disa nuk kanë preferuar të flasin për këtë çështje në kohë fushate elektorale, ndërkaq të tjerë nuk janë përgjigjur.

Por, njëri nga blerësit që nuk është më pjesë e LVV-së, i ka thënë mediumit në kushte anonimiteti se prona ka mbetur në emër të babait të Hysen Durmishit për shkak të përkatësisë së tij me Komunën e Suharekës.

“Ai është marrë me këto çështjen procedurale meqë është banor i zonës”, ka thënë njëri nga blerësit.

Sipas këtij burimi, ata janë të interesuar që të zgjidhin çështjen me pronën familjare të zv/ministrit Durmishi por për arsye mos-komunikimi rasti është lënë pezull.

Në deklarimet e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, Hysen Durmishi e ka deklaruar në vlerë prej 40 mijë eurove tokën 3 hektarëshe, pronë familjare, që pretendohet nga 16 veta.

Çmimi i saj nuk ka lëvizur as në raportimin e tij më 2014 e as në raportimin e tij në vitin 2021.

Një publikim i Paparaci.com dhe portalit Periskopi, dëshmoi për mbështetjen që i dha zv/ministri Durmishi projektit rrugor Mushtisht-Brezovicë, i cili shkon përskaj pronës së babait të tij.

Durmishi, në një adresim publik në Facebook lidhur me artikullin, deklaroi se rruga që do të lidh Mushtishtin e Suharekës me Brezovicën – projekt të cilit ai i ka dhënë prioritet si zv/ministër – kalon “larg atyre livadheve” të cilat janë pronë e babait të tij. Ndryshe dëshmojnë faktet e publikuara nga Paparaci.com.

“Rrugën pra unë nuk e kam filluar sepse ajo ka nisur shumë para se unë të vij në ministri si zëvendësministër dhe e dyta rruga nuk kalon afër livadheve të babait tim por larg atyre livadheve”, ka thënë Durmishi.

Zëvëndësi i ministrit Liburn Aliu ka nënkuptuar se për parcelën prej tre hektarëve tokë që ndodhet në afërsi të aksit rrugor Mushtisht-Brezovicë dihet publikisht pronësia në emër të babait të tij.

“Ato livadhe janë blerë në vitin 2011, pra para 10 viteve dhe i kam të deklaruara në deklarimin e pasurisë, ashtu siç janë, pra pronë të babait tim”, vijion Durmishi.

Durmishi, që disa javë më parë e cilësoi me “interes të veçantë” projektin që çon kah “livadhet” e të atit, sot nuk pretendon dorë mbi projektin.

“Rruga Mushtisht – Shtërpce është kontratë e Komunës së Suharekës e nënshkruar me 19 korrik 2018 dhe me memorandum me Ministrinë e Infrastrukturës”, deklaroi Durmishi.