Skenari i njëjtë me vitin e kaluar: Çka po synon Lista Serbe me zgjedhjet në Veri?

Saktësisht një vit më parë, në muajin Prill të vitit 2023, përmes zgjedhjeve lokale në katër komunat me shumicë serbe, u zgjodhën kryetarët në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviçit, shkruan Periskopi Në atë kohë, Lista Serbe, si partia më e fuqishme e serbëve të Kosovës bojkotoi procesin duke bërë thirrje që qytetarët […]
Përderisa sot, katër anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor nga Lista Serbe iu përgjigjen pozitivisht thirrjes për bojkot duke dhënë dorëheqje.
Në këtë mëynyrë, si po shkon i gjithë ky proces, kryetarët aktual do të mbesin në pozita, me vetëm 3.47 % të votave të tyre nga shqiptarët në atë pjesë.
Në një prononcim për Periskopin, Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, thotë se ky qëndrim i Listës Serbe për bojkot është bërë sepse e kanë ditur që një proces i tillë do të dështojë.
“Natyrisht ne do të mbesim kryetar, se ata [Lista Serbe] ka parë që s`mund ketë rezultat me 21 prill dhe në këtë drejtim tash i kanë nxjerr këto qëndrimet, thirrje për bojkot me deshtu procesin, sespe ashtu kështu do të dështonin”, tha Zeqiri për Periskopin.
Në një konferencë për media të dielën, kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, tha se kryeministri Albin Kurti ka bërë gjithçka që referendumi, siç e ka quajtur ai, të mos ketë sukses.
Elek u shpreh se qëndrimi i partisë është edhe vullnet i serbëve, që përbëjnë shumicën në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin-Potok dhe Leposaviq.
Ai numëroi disa arsye pse duhet të bojkotohet ky proces.
“Ndoshta dalim kot në referendum dhe keqtrajtojmë qytetarët që janë keqtrajtuar mjaftueshëm nga represioni i regjimit në Prishtinë. Dhe lind pyetja – a është referendumi sipas Kushtetutës. Një dallëndyshe nuk e bën pranverën. Me ardhjen e katër kryetarëve tanë, asamblistët shqiptarë do të qëndrojnë deri në fund të mandatit të tyre. Për këtë ua kemi tërhequr vërejtjen ambasadorëve të huaj”, tha Elek.
I pari i kësaj partie kundërshtoi edhe votimin nën vrojtimin e kamerave të sigurisë. Sipas tij, nuk ka askund në botë që të votohet nën vëzhgim. Ai është ankuar edhe për numrin e votuesve, që janë vërtetuar sipas Komisionit Qendror Zgjedhor. Elek u shpreh se numri i dhënë nuk përkon me realitetin në terren.
“Në disa raste, gjatë takimeve me përfaqësues të QUINT-it dhe me ambasadorë të tjerë, kemi paralajmëruar se këto të dhëna nuk janë të sakta dhe se nuk përkojnë me gjendjen e vërtetë në terren, sepse në muajt e fundit, më shumë se 15 për qind e njerëzve nga veriu i Kosovës janë shpërngulur. Për fat të keq nuk kemi hasur në mirëkuptim. Ka pasur shumë mundësi për largimin e kryetarëve të komunave, siç është shkarkimi i tyre”, tha Elek.
Ndaj bojkotimit nga LS, ka ardhur edhe reagimi i Ambasadës së Amerikës në Kosovë, ku të njëjtit kanë shprehur keqardhje për këtë thirrje të partisë më të pushtetshme serbe në Kosovë.
Në një përgjigje për “Kohën Ditore”, ambasada e ShBA-së ka kërkuar po ashtu nga Qeveria e Kosovës që të “të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve” të komunitetit serb në veri të Kosovës në lidhje me këtë proces.
“Na vjen keq për deklaratën e Listës Serbe se ata do të tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore. Presim që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj në veri të Kosovës gjatë gjithë këtij procesi. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do të vazhdojnë ta ndjekin këtë proces nga afër”, thuhet në përgjigje.
“Siç kanë thënë vazhdimisht ambasadori Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane, ne besojmë se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë aftësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të shkarkuar kryetarët në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, nëse ata vendosin ta bëjnë këtë”, ka thënë tutje ambasada.
“Më 21 prill, organet zgjedhore kosovare do të mbajnë votimin për tërheqjen e kryetarëve të komunave në katër komunat veriore. Është jashtëzakonisht për të ardhur keq dhe më duhet të them shqetësuese që Lista Serbe ka vendosur sërish që të mos marrë pjesë në votim. Është një rast i qartë këtu që qytetarëve në veri janë përsëri duke u bërë presion që të mos marrin pjesë në proceset demokratike”, tha ambasadori Rohde.
Ai ka thënë se politika e Listës Serbe në këta muaj mund të përshkruhet me dy fjalë “bojkot dhe dorëheqje”.
Rohde tutje ka thënë se ky është edhe një tjetër autogol nga Lista Serbe.
“Për mua, politika e Listës Serbe në 18 muajt e fundit mund të përmblidhet fare sinqerisht në dy fjalë: ‘bojkot dhe dorëheqje’. Kjo është katastrofike, një dëmtim për të gjithë qytetarët e komunave veriore dhe një tjetër autogol nga Lista Serbe, sigurisht që kjo nuk ndihmon për të siguruar që ne do të kemi në veri kryetarë që përfaqësojnë plotësisht elektoratin të cilit i shërbejnë”, tha Rohde për Telegrafin.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës vendosi që votimi të mbahet më 21, pasi i verifikoi nënshkrimet e qytetarëve në peticionet për shkarkimin e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Nënshkrimet u mblodhën në mesin e muajit janar në përputhje me një udhëzim administrativ të nxjerrë nga Qeveria e Kosovës, me qëllim që t’i hapte rrugën shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në komunat e veriut, për shkak se popullata vendase serbe nuk ka pranuar kryetarët shqiptarë.
Sipas udhëzimit, të miratuar shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote./PERISKOPI/
Kryetarët aktual të komunave në veri nuk do të kandidojnë në zgjedhjet e reja












