Sot seanca e radhës, a do të dështojë sërish VV’ja me Albulena Haxhiun?

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot për të vazhduar seancën konstituive të nisur më 15 prill, në përpjekje për të përmbyllur zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Të dielën u votua për herë të pestë kundër propozimit të LVV-së për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit, ndërkohë që kjo ishte përpjekja e […]
Të dielën u votua për herë të pestë kundër propozimit të LVV-së për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit, ndërkohë që kjo ishte përpjekja e shtatë për konstituim të Kuvendit.
57 deputetë nga Vetëvendosje dhe pakicat joserbe votuan pro zgjedhjes së saj. Kundër ishin 41 deputetë, ata të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike dhe Aleancës. Abstenuan 3 deputetët e Nismës, e 8 mandatarë të Listës Serbe sa ishin në sallë nuk morën pjesë në votim.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të këmbëngulë në propozimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, duke refuzuar të ndryshojë kandidatin, ndërkohë që partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë vazhdojnë të refuzojnë ta mbështesin atë.
Rreth situatës aktuale politike në vend, kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Albin Kurti nuk ka komentuar asnjëherë – madje injorimi i tij ndaj gazetarëve të cilët vazhdimisht raportojnë nga Kuvendi, ka vazhduar që nga seanca e parë konstituive.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e quajti “të turpshme” dështimin e sërishëm të Vetëvendosjes për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe mosndërrimin e emrin të një kandidati që dihet që nuk kalon.
“Bllokada është për Albin Kurtin, sepse ai vetë s’po mundet me u zgjidh kryeministër, e po e sakrifikon Albulena Haxhiun”, tha ai.
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se “përgjegjësia është e VV-së dhe vetëm e VV-së” për dështimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës./Periskopi/
Tentativa e 8-të nesër: Albulena Haxhiu “mollë sherri” për bllokimin e krijimit të institucioneve












