VV Kryeministrin, LDK Presidentin: Çka thotë Albulena Haxhiu për negociatat mes Kurtit dhe Mustafës

Nënkryetarja e VV’së, Albulena Haxhiu thekson se partia e saj është takuar disa herë me kreun e LDK’së, Isa Mustafa rreth koordinimeve për të rrëzuar sa më shpejt Qeverinë Haradinaj dhe shkuarjen në zgjedhje të reja. Megjithatë, thotë se nuk ka dijeni lidhur me negociatat që po zhvillohen mes kreut aktual të LDK’së, Isa Mustafa […]
Sipas Haxhiut, gjatë takimeve, me aq sa di ajo, asnjëherë nuk është diskutuar rreth koalicioneve para apo pas zgjedhore me LDK’në.
‘’Nuk e pasna parë dhe as dëgjuar këto që paskan qarkulluar dje në media. Megjithatë, ne kemi pasur takime me përfaqësuesit e LDK’së, mirëpo asnjëherë nuk është që kemi diskutuar për çështje të tillë, rreth koalicionit parazgjedhor apo pas zgjedhjeve. E ato të cilat qenkan raportuar, për të cilat unë nuk jam e informuar, VV i ka organet e saj për çfarëdo koalicioni, qoftë para ose pas, vendosin organet tona. Kryesia dhe Këshilli i VV’së.’’, ka thënë ajo për Periskopin.
Haxhiu mendon se veç Albin Kurti është i denjë për të udhëhequr vendin.
‘’Ajo cka mund të shtoj këtu është se i vetmi subjekt politik dhe i vetmi person i cili mund të bëjë ndryshimet rrënjësore të cilat i duhen vendit, paradyshim që si subjekt është Vetëvendosje dhe kryetari i saj, Albin Kurti. Mirëpo ne nuk kemi vendosur brenda subjektit tonë opozitar. Nuk kemi diskutuar fare për këto. Nuk mund të paragjykoj fare se si do të rrjedh situata, por besoj që nuk ka më asnjë dilemë që subjekti që i bën ndryshimet në Republikën e Kosovës, është VV. Ne e kemi parë se si kanë qeverisur më herët, edhe këto parti që janë në pushtet, por edhe LDK e ka pasur mandatin në legjislaturën e kaluar, prandaj nuk ka nevojë të thellohemi shumë se cila qeveri që ka qeverisur deri më tani, qeveris më mirë se ne’’, ka theksuar Haxhiu.
Ndërsa, edhe nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova në një përgjigje dhënë Periskopit ka lënë kuptohet se Kryesia e kësaj partie nuk është në dijeni lidhur me negociatat që po zhvillohen mes kreut aktual të LDK’së, Isa Mustafa dhe kreut të VV’së Albin Kurti.
Burimet e sigurta nga negociatat Kurti – Mustafa, thonë se këto janë propozimet e deritashme mes dyshes:
“Mustafa ka propozuar që fillimisht posti i Kryeministrit t’i takojë LDK-së, ndërsa kur të përfundojë mandati i Presidentit, të ndodhë rokada: Mustafa të bëhet President, ndërsa Kurti Kryeministër. Por, kërkesa e Kurtit është që posti i Kryeministrit t’i takojë menjëherë VV-së, ndërsa kur t’i kalojë mandati Presidentit, t’i jepen votat Isa Mustafës për President”.
Në anën tjetër, nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova, thotë se nuk mund të spekulojë se çka mund të ndodhë pas dy vitesh.
“Aktulisht shteti e ka presidentin dhe ju e dini fort mirë se si zgjidhet presidenti. Nuk e di unë çka mund të ndodh pas dy viteve. Nuk ështe pyetje që shtrohet sespe dhe unë mund të bie në rrafshin spekulues dhe nuk dëshiroj… Po flas me saktësi dhe jo me spekulime”, ka thënë Rugova për Periskopin.
Ndryshe, për të mësuar më shumë lidhur me prapaskenat e negociatave mes Kurtit dhe Mustafës, lexo lajmin: Ekskluzive: Isa Mustafa mendon t’ia falë Kryeministrin VV-së, që vetë të bëhet President.












