Zhgënjim+zhgënjim – Reagimet e Amerikës dhe BE’së ndaj padëgjueshmërisë së Kurtit për targat

Çështja e targave, edhe pse krejt teknike, tash e disa ditë ka qenë temë kryesore diskutimi mes palëve nga Kosova, Serbia, Bashkimi Evropian e Amerika. Ndonëse aleatët ndërkombëtarë i kërkuan kryeministrit Albin Kurti që afatin për regjistrimin e tabelave të automjeteve nga serbët e veriut ta shtyjë për 10 muaj, ai shkoi dhe e modifikoi […]
Kryeministër Kurti, dje pas mbledhjes së Qeverisë doli me vendim që të ‘shkallëzohet’ puna e afatit të targave, shkruan Periskopi.
“Deri me 21 nëntor do të jetë masa a qortimit. Nga 21 nëntori deri me 21 janar do të jetë masa e gjobitjes. Nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj. Pas secilës datë me 21 prill s’do të ketë më targa të tjera në Republikën e Kosovës”, është sqarimi i Kurtit.
Për këtë, pikërisht të premten pasdite i shkuan në zyre edhe ambasadorët e vendeve të QUINT’it.
Amerika e zhgënjyer!
DASh ka lëshuar një komunikatë ku u shprehën të zhgënjyer me Qeverinë Kurti për mos realizimin e kërkesave që ia kanë adresuar partnerët ndërkombëtarë Kurtit.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të vendimit për targat. Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”, thuhet në reagim.
Bashkimi Evropian i zhgënjyer!
Bashkimi Evropian ka dalë me një komunikatë për media në lidhje me vendimin e fundit të Qeverisë Kurti. “BE-ja ka marrë parasysh vendimin më të fundit të qeverisë së Kosovës në lidhje me targat. Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht tabelat KM, por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në Dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative”, thuhet në komunikatën e BE-së.
Tutje, theksohet se vendimi është një hap në drejtim të duhur, por nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut.
Po ashtu, njëjtë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe BE-ja është shprehur e zhgënjyer që kërkesa e tyre nuk është përfillur.
“Ndërsa vendimi është një hap në drejtimin e duhur, ai nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut, të cilat janë të detyrueshme për të dyja palët. Marrëveshja përkatëse e vitit 2016 parashikonte një proces të renditur dhe të përcaktuar qartë me një afat kohor 12-mujor për procesin e largimit, i cili nuk është ndjekur. Kosova duhet të lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni. Kjo ka qenë këshilla e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, përfshirë BE-në dhe SHBA-në. Është zhgënjyese të shohësh se nuk është ndjekur”, thekson komunikata.
Në fund, BE-ja u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen dhe të shamngin veprimet që mund të rrezikojnë sigurinë në veri të vendit.
“Është e domosdoshme ruajtja e qetësisë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo veprim apo retorikë që mund të rrezikojë stabilitetin në terren, veçanërisht në veri të Kosovës. BE-ja do të vazhdojë, së bashku me partnerët e saj, të angazhohet si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë. Ne presim që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim për të gjetur një zgjidhje pa vonesa të mëtejshme, në përputhje të plotë me Marrëveshjet e Dialogut”, thuhet në fund.
Deri më tani, janë veç rreth 20 automjete të konvertuara në targa ‘RKS’ nga serbët e veriut të Kosovës. Këtu mund të lexoni një përmbledhje të Periskopit rreth ecurisë dhe zhvillimeve nga marrëveshja për targat që nga fillimi. /Kaltërina Misini – PERISKOPI/












