‘Zotëriun e Parë’ s’e nguci hiç, konsull Begollit s’i dha afat ministrja Gërvalla pasi ia qiti skandalin

Qeveria Kurti si duket në çdo rast po përdorë standarde të dyfishta. Përderisa i ngarkuari i përkohshëm si ambasador në Shkup, ndryshe edhe ‘Zotëriu i Parë’, Prindo Sadriu quajti mediat ‘’ndërmarrje të përbashkëta kriminale’’ dhe nuk u mor as edhe një masë disiplinore ndaj tij, fatin e tillë nuk e pati konsulli në Hamburg, Gramos […]
Ky i fundit, veç tri ditë pasi ia vuri në pah një skandal ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvallës, se kishte ndërhyrë në organizimin e festës së Pavarësisë së Kosovës atje, i shkoi vendimi për kthim të menjëhershëm në Kosovë.
Gramos Begollit, Konsull i Përgjithshëm në Hamburg, i liruar nga detyra, por që do të qëndronte në mision deri në fund të këtij muaji, i është ndërprerë puna prej sot.
Kthimi i tij në Kosovë, sipas vendimit të nënshkruar nga kryediplomatja Donika Gërvalla, duhet të bëhet që sot, më 15 mars, 2022. Ndërsa, në vendimin për lirim të detyrës, thuhej se ai duhej të kthehej më 31 mars.
Begolli tha se ministrja, për festën e Pavarësisë, u kishte shkuar në konsullatë pa asnjë njoftim zyrtar dhe se punonjësit e konsullatës në Hamburg e kanë marrë vesh për këtë vizitë, vetëm kur ajo ka arritur aty.
“Ka ardhur pa paralajmërim për pavarësinë e Kosovës. Rregullat janë të qarta, por edhe rregullat diplomatike ekzistojnë për të gjitha shtetet ku duhet të sundojë ligji. Në rastin e vizitave në një shtet tjetër, duhet të lajmërohen vizitat e nivelit të lartë. Znj.Gërvalla në bazë të rregulloreve është dashur të lajmërojë këtë vizitë në konsullatë, që ne t’i njoftojmë policinë dhe institucionet. Sepse në momentin kur të arrijë një përfaqësim i lartë, duhet të vijnë autoritetet që të sigurohet itinerari, dhe të sigurohet objekti që të mos ndodhë ndonjë incident”, ka thënë Begolli.
Ai tha se i ka shkruar një numër në “Whatsapp”, e atë e ka raportuar përmes postës elektronike të MPJ-ja, pasi i është dukur se është adresim i rrejshëm.
“Si profil i fotografisë, ka qenë një fotografi e një kafshe, nuk e kam marrë shumë serioze kërkesën, dhe nuk kam besuar se autorja e atij profili do të jetë zonja Gërvalla. Kam kërkuar përmes postës zyrtare, mirëpo nuk kam marrë konfirmim, dhe kemi vazhduar të nesërmen. Meqenëse ka qenë situatë me Covid, e kemi pasur një numër të caktuar të pranishmëve, hapësirat e konsullatës janë të vogla. Sidomos në pandemi.”
Kujtojmë që kur jemi tek ‘Zotëriu i Parë’, Prindon Sadriu përkundër presionit dhe thirrjeve të vazhdueshme, ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk bëri asnjë veprim kundrejt tij./PERISKOPI/












