Hipokrizia e pushtetit: A duhet të kërkojë falje Sveçla pas rastit me gazetaren e Periskopit

‘Budallicë’ nuk bën të thotë Halil Matoshi për ministre Arbërie Nagavcin e duhet të linçohet nga Qeveria Kurti, e ‘po flisni budallallëqe’ bën t’i thotë ministër Xhelal Sveçla gazetares, kur e zë ngushtë me pyetjen për punësimin e motrës së tij në Ministri të Bujqësisë. Dy situata të ngjashme ndodhën brenda dy ditësh në Kosovë. […]
Konferencë në orën 10:00 sot thirri ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, në objektin e Qeverisë së Kosovës. Aty kishin për të dalë ministër Xhelal Sveçla me drejtorin e Policisë, Samedin Mehmeti për të treguar se si nga Serbia erdhën katër sulme brenda tri ditëve në veri të Kosovës, ndaj zyrtarëve policorë.
Me t’u kryer deklaratat për temën e tyre, gazetarët patën hapësirën të shtrojnë pyetje ndaj dy panelistëve. E gazetarja e Periskopit, krejt në fund të konferencës pyeti ministrin Sveçla për një temë për të cilën nuk ishte lodhur fare ta komentonte ai e stafi i vet tash e sa javë, përkundër emailave nga ana e mediave për përgjigje. Pra bëhet fjalë për punësimin e Magbule Hysenit, motrës së Xhelal Sveçlës në Ministrinë e Bujqësisë të cilën e udhëheqë Faton Peci.
Interesi i mediave por më shumë i publikut natyrisht që do të ishte të dimë çka mendon Sveçla për dukurinë e nepotizmit shumë të theksuar në qeverisjen e Kurtit, gjë për të cilën dikur ishin aq kritikues e të zëshëm. Sipas tyre, kushërinjtë ishin për shpi e dasma, jo për pozita institucionale, apo jo…
“Para disa ditësh është raportuar në media se motra juaj Magbule Hyseni është punësuar në Ministrinë e Bujqësisë. Cili është komenti juaj duke marrë parasysh se sa keni qenë në opozitë si Vetëvendosje, ishit zëri më kritik kundër nepotizmit?”, e ka pyetur gazetarja e Periskopit – ministrin Sveçla.
Ky i fundit, nga sikleti i të zënit ngushtë, ia ktheu shumë ulët gazetares, me përgjigjen:
“Ne po flasim për një sulm terrorist e ju mirreni me budallallëqe të këtilla”, është përgjigjur ministri i Brendshëm.
Përgjigje tamam që nxit sulme e nënçmim ndaj gazetarëve, për çka e tha fjalën e vet edhe raporti i Departamentit Amerikan i Shtetit, se nën qeverisjen e Albin Kurtit, gazetarët në Kosovë si kurrë më parë janë linçuar e kërcënuar për raportimet e tyre që kanë qitë skandalet e institucioneve.
Për këtë sjellje, reagoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, duke e konsideruar si qasje joprofesionale dhe linçuese të ministrit ndaj gazetares.
‘’Budallica’’ e Halil Matoshit, linçimi nga ana e pushtetit dhe kërkimfalja!
Para dy netësh, në një debat televiziv, analisti Halil Matoshi si zakonisht shprehte opinionet e tij për zhvillimet aktuale. Ndër to ishte edhe shkelja e Kushtetutës nga ana e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci. Në një moment, atë e etiketoi si ‘’budallicë’’. Për këtë gjë, Matoshi kërkoi menjëherë falje. Por nuk i iki dot sulmeve të Qeverisë. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu doli dhe e linçoi publikisht, duke u bërë thirrje mediave që t’i pamundësohet pjesëmarrja publike nëpër debate.
Për këtë temë pati reagime të shumta.
Natyrisht, gjuha e papërshtatshme, ofenduese, linçuese e sulmuese nuk duhet të ndodh në asnjë institucion e hapësirë publike. Si rezultat, edhe ministri Xhelal Sveçla do të duhej të kërkonte falje ndaj gazetares për përgjigjen e ulët ndaj saj, e cila veçse po kryente detyrën e saj. /Kaltërina Misini – PERISKOPI/











