‘Jo more, pse të mërzitur’, ‘Mos me pa kurrë s’më merr malli’ – Opozita i përgjigjet thumbimit të Kurtit nga Amerika

‘Jo more, pse të mërzitur’, ‘Mos me pa kurrë s’më merr malli’ – Opozita i përgjigjet thumbimit të Kurtit nga Amerika

Nënshkrimi i marrëveshjes 237 milionëshe me MCC’në ishte arsyeja pse kësaj radhe kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani shkuan në Amerikë. Përpos kësaj ceremonie të rëndësishme, krerët e shtetit të Kosovës më në fund u takuan edhe me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili iu dha mesazhe. E Kurti, mbrëmë, edhe nga SHBA nuk la pa thumbuar opozitën. ‘Do të mërziten pse s’jam në Kuvend për ratifikim’, tha ai. Opozita ia kthen një përgjigje…

Kryeministri Albin Kurti u shfaq tejet i ekzaltuar mbrëmë pasi u hodhën nënshkrimet mes Kosovës e MCC’së për fondin në vlerë 237 milionë euro. Mirëpo në një moment, kryeministri ngacmoi opozitën kosovare, duke thënë ‘’jam i sigurtë që opozita do mërzitet që s’do jem nesër në Kuvend për ratifikim të kësaj marrëveshje’’.

Periskopi ka kontaktuar deputetë nga tri partitë opozitare, LDK, PDK e AAK për të parë nëse do ndjejnë mërzi siç aludoi zotëri Kurti.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti tha se nuk ka nevojë të jenë të mërzitur sepse Kurti e ka vendin në Kuvend, ku edhe duhet të japë llogari.

‘’ Jo more, pse me qenë i mërzitur. Ai është në Amerikë, derisa të vjen ka kohë me çlodhë edhe me ardhë në Kuvend. Vendi ku ai duhet me dhënë llogari për të gjitha.’’, tha Haliti për Periskopin.

Sipas Halitit, Kurti e Osmani s’kanë pasë nevojë hiç të shkojnë atje për këtë ceremoni, sepse ka mjaftuar prezenca e ministres së Ekonomisë, Artanë Rizvanolli.

‘’Ai nuk është kritiku asnjëherë për marrëveshjen. Ka pasë deklarata që po i prishë raportet Kosovë-Amerikë, këto kanë qenë permanente dhe nuk kisha me thanë se dikush prej deputetëve që është mërzitë pse është nënshkru marrëveshja me MCC’në.  Sa i pëket marrëveshje me MCC’në, edhe mos me paasë shku këta, veç ministrja ka mujt me shku edhe me u kthy. Ka qenë një process i gjatë i negocimit dhe nuk është hera e parë që MCC jep fonde në interest ë zhvillimit të Kosovës. Amerika me siguti që i kanë planifiku edhe fondet për ndihma, jo vetëm për Kosovën. Se kanë veç Kosovën si çështje.’’, tha Haliti.

E deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha i tha Periskopit se kurrë mos me e pa kryeministër Kurtin, nuk e merr malli.

‘’ Jo valla. Unë mos me e pa kurrë, s’më merr malli për të. Nuk është temë kjo punë, a mërzitem a s’mërzitem, kot.’’, theksoi Berisha i AAK’së.

Për çudi, në këtë rast, pa fjalë mbeti deputeti i LDK’së, Driton Selmanaj. Një sms i tij për Periskopin ishte kështu:

‘’ Vërtetë s’kam përgjigje për fjalët e këtij kryeministri.’’, ka thënë shkurt Selmanaj.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes me MCC’në, deputetja e PDK’së, Vlora Çitaku ia ka kujtuar Qeverisë se nuk është aspak meritë e tyre.

‘’Në ceremoninë për nënshkrimin e marrëveshjes me MCC, marrëveshje për të cilën kjo qeveri nuk ka asnjë meritë, në fakt vetëm e ka devijuar procesin nga gazsjellësi në bateri, Kryeministri Kurti paska zgjedhur të thumbojë opozitën.’’, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Kryeministri Kurti, deklaroi se nënshkrimi i marrëveshjes me MCC-në, Kurti tha se është ditë e shënuar e një bashkëpunimi historik.

Kurse presidente Vjosa Osmani e cilësoi si investimin më të madh në dekada për energji.

Shefja Ekzekutive e Sfidave te Mijëvjeçarit, MCC, Alice Albright tha se komponenti kryesor i investimit është ruajtja e baterive në shkallë të gjerë 36.

Në fund, ajo tha se mezi pret të punojë me të gjithë, për të ndërtuar një të ardhme të ndritshme dhe më të qëndrueshme për popullin e Kosovës.

Kuvendit i Kosovës pritet që sot ta fusë në rend dite dhe ta ratifikojë marrëveshjen me MCC’në, për çka opozita do të japë votën e tyre.

Kujtojmë që programi kompakt në kuadër të kësaj marrëveshjeje do të përfshijë tri projekte.

E para krijimi i rezervave dhe arbitrazh të energjisë prej 340 megavatëorë, e dyta zhvillimi i fuqisë punëtore, me theks të veçantë në përfshirjen e grave në sektor të energjisë si dhe Projektin e Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim, i cili ka për qëllim të nxisë financimin e sektorit privat nga Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC) të Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Granti nga Amerika është në vlerë prej 202 milionë dollarësh. Ndërsa, shuma totale e marrëveshjes kap shifrën e 236 milionë dollarëve, ku pjesën tjetër do ta paguajë Qeveria e Kosovës./Kaltërina Misini – PERISKOPI/

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në: