Për tenderin 23 milionësh, rekomandohen për kontratë familjarët e dostit të zëvendësministrit Durmishi

Për tenderin 23 milionësh, rekomandohen për kontratë familjarët e dostit të zëvendësministrit Durmishi

Ministria e Infrastrukturës që po udhëhiqet nga zëvendësministri, Hysen Durmishi me autorizim të ministrit Liburn Aliu, ka arritur që pas shumë muajve t’ia “lidhë kryet” një tenderi që është më i madhi për nga vlera deri më tani, që prej kohës kur më këtë institucion udhëheqë Lëvizja Vetëvendosje.

Një tjetër tender që është në procedurë të Ministrisë së Infrastrukturës pritët të jetë po aq i zhurmshëm sa ai për Mirëmbajtjen e dy autostradave. Kjo për faktin se janë rekomanduar për kontratë kompanitë e njëjta, sikurse në tenderin paraprak, ku metohët se disa kontrata u nënshkruan kundërligjshëm. Por, edhe për faktin se tenderi është i vlerës së madhe, ku ministria vendosi një shifër prej 30 milionë euro për tre vite dhe kompanitë që kanë garuar nuk  janë të pakta, por 28 subjekte, shumica garuan në konzerciume, dhe disa që u përjashtuan nga gara kanë qenë më të lira se sa ato që u rekomanduan për kontratë. Bëhet fjalë për procedurën e prokurimit “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe rajonale 2022 -2025“, ku ministria shpalli fituesit për 15 pjesë (lot).

Periskopi ka parë që disa prej kompanive që u rekomanduan për kontratë kanë qenë të pa përgjegjshme në të kaluarën dhe se vetë zv. ministri Dumrishi kishte ftuar prokurorinë për hetime.

Po ashtu, për kontratë janë rekomanduar edhe kompanitë e famijlarëve të dostit të Hysen Dumrishit, Bujar Shabanit, pronarit të kompanisë “Bageri”.

Tenderi i vlerës së madhe më procedurë të hapur ishte publikuar më datë 11 prill. Kjo procedurë e prokurimit është vlerësuar nga tre zyrtarët e ministrisë së Infrastrukturës, të cilët janë caktuar nga ish shefi i prokurimit, Nexhat Krasniqi katër muaj më parë. Pra, anëtarë të komisionit vlerësues kanë qenë Arif Zhushi, Afrim Kamberi dhe Rexhë Osmanaj. Por, tek rekomandimi për kontratë, tash është nënshkruar shefi i ri i prokurimit, Ndriçim Mustafa.

Për këtë tender kanë aplikuar 28 subjekte, disa nga to si konzerciume e disa si kompani të vetme. Vetëm dy kanë aplikuar në nga një pjesë, ndërsa të tjerat në dy e më shumë pjesë, deri në njëmbëdhjetë lot.

Ditë më parë, Periskopi ka kërkuar qasje në të gjitha ofertat që kanë qenë në garë, por ministria nuk ka dhënë përgjigje për qasje. Më pas është përsëritur kërkesa për qasje në dokumentacion vetëm në ofertat e rekomanduara për kontratë, dhe mbetet të shihet nëse ministria do të lejojë qasjen.

 Fitues në dy raste, dostat e zoti Durmishi

Për pjesën “Prishtina 3”, janë rekomanduar për kontratë “Kosova Asfalt” shpk, “AAB Construction” shpk, N.N.P “Ndërtimi”, “Urban O.P”, “Adnan Bislimi BI”, “Premium-ks” shpk. Vlera e tenderit për një vit 484, 574.20 euro, ose 1, 453, 725 euro. Lideri i grupit që e ka marrë përgjegjësinë “Kosova Asfalt”, është në pronësi te Valdrin Shabani, djalit të Bujarit, ky i fundit jaran i zëvendësministrit Dumrishi.

Pjesën “Prishtina -1” e ka fituar grupi ”Via” shpk, Eurokos Holding”, “A.L -Asfalt” shpk, “Dio Bes” shpk, “Eurotitan” shpk. Vlera  për një vit 617, 047. 26 euro. Ndonëse jo lider i grupit, kompania “Dio Bes” është në pronësi te Xhelal Shabani, djalit të vëllait të Bujar Shabanit, po ashtu Xhelali ka qenë edhe menaxher tek kompania “Bageri”.

Kompania “Damastion Project”, si e vetme ka fituar pjesën Prizreni -1, në një vlerë për tri vite prej 1, 491, 750 euro. Po ashtu është rekomanduar për kontratë edhe për pjesën Ferizaj – 2 në një vlerë prej 1, 392, 102 euro.

Kompania “Via” është liderë e grupit tek pjesa Prishtina -1. Liderë e grupit tek Ferizaj 1, dhe liderë e grupit tek Gjilani 2. Pra është rekomanduar për tri kontrata në tri pjesë të ndryshme. Pra kompania “Via” dhe “Damastion” janë përfitueset më të mëdha, nëse arrijnë të nënshkruajnë kontratë. Të dyja këto kompani janë shpërblyer më kontratë edhe tek Mirëmbajtja e autostradave.

Periskopi ka raportuar se këto dy kompani që kanë qenë në kozercium, akoma nuk e kanë asfaltuar një pjesë të rrugës magjistrales, në mes Llapushnikut e Komaranit. Kjo ngase kompanitë, në një kontratë të para disa viteve kishin ofertuar me çmim mashtrues prej 5 centë m2 për shtrim të asfaltit, dhe nuk ua kishte marrë mendja se do të detyrohen të shfaqet nevoja të asfaltojnë më, ndërkohë kishin vendosur çmime enorme të larta në pozicione tjera.

Pas të gjitha këtyre veprimeve, zotëri Drumishi në një intervistë televizive kishte thënë se me kontratën e cila deri para pak javësh ishte valide, e cila të cilën e kanë lënë pa finalizuar punimet “Damastion”,  dhe “Via” duhet të merret prokuroria.

“Kemi situata kur çmimi i asfaltit ka qenë 1 cent e 5 cent. Në çmimet e tregut për atë pozicion ka qenë 10 euro, tash është edhe më shumë. Pra, ka pasur pozicion 200 mijë m2, çmimin në kontratë e ka pasur 5 cent, që për krejt bëjnë 10 mijë euro, kurse çmimi i tregut është 2 milionë euro, dhe më pastaj nuk i ka realizuar punimet, sepse janë marr veshë paraprakisht që ne po e qesim këtë pozicion dhe ti me këtë pozicion e fiton kontratën, po ti s’ki me punë këtë punë. E me këtë duhet të merren gjykatat dhe prokuroria”, ka thënë shprehimisht Durmishi në një intervistë për ATV-në.

Ministria ka vendosur që lotin Mitrovica – 2 ta tenderojë nga fillimi, pasi sipas tyre nuk ka pasur ofertë të përgjegjshme për këtë pjesë.

Fituesit janë publikuar sot, dhe nga e hëna kompanitë që janë përjashtuar nga gara do të kenë mundësi të bëjnë ankesë në Ministrinë e Infrastrukturës.

Kompanitë më të përfolura në tenderin e dy autostradave tërhiqen nga gara

Tek dokumenti i kompanive të rekomanduara për kontratë, ministria ka shënuar se pas hapjes së ofertave të grupit të kompanive “2A Group” shpk, NNT “ABC” shpk, “Jubica”, janë tërhequr nga gara. Ky grup ka garuar në 11 lot.

Po ashtu, ky grup i kompanive ka qenë më i përfoluri që nuk i ka përmbushur të gjitha kriteret tek një pjesë e tenderit të Mirëmbajtjes së Autostradave. Periskopi kishte raportuar se NNT “ABC” shpk, kishte arritur të lidhte kontratë, ndonëse kishte ofertuar me okultacion të kompanisë që ishte shuar. Nuk dihet nëse kjo është arsyeja e tërheqjes nga gara, pra nëse përsëri kjo kompani ka ofertuar më dokumentacion të kompanisë së shuar. Pra, nëse kompania është tërhequr për këtë, sipas ligjit bie i gjithë konzerciumi, dhe kompania “2A group” nuk ka mundur të rrije në garë. Pronari i kësaj kompanie është  dostë më ish shefin e prokurimit, Nexhat Krasniqin dhe shihen shpesh bashkë në kafene. Ndonëse, nuk do të ketë një hise në këtë tender, për kontratë është rekomanduar kompania e babait të tij, “Alko Impex -General Construction”, që për pronar e ka Imer Ademin. Kjo është rekomanduar për lotin Peja -1.

Kompanitë e rekomanduara për kontratë:

Prishtina -1. “”Via” shpk, Eurokos Holding”, “A.L -Asfalt” shpk, “Dio Bes” shpk, “Eurotitan” shpk. Vlera  për një vit 617, 047. 26 euro.

Prishtina – 2. “Rahovica” shpk,  “Quality Asphalt” shpk,  “Eurotrans” shpk, “Iridiani” shpk , “Korsel  shpk, “Ja -Mi Ekspert Import Dooel Kavadar”. Vlera për një vit 507, 698. 35.

Prishtina -3 “Kosova Asfalt” shpk, “AAB Construction” shpk, N.N.P “Ndertimi”, “Urban O.P”, “Adnan Bislimi BI”, “Premium-ks” shpk. Vlera për një vit 484, 574.20 euro.

Mitrovica – 1. “Arbotec” shpk. Vlera për një vit 527, 553. 34 euro.

Mitrovica -2. RITENDER, në mungesë të ofertave të përgjegjshme.

Peja – 1. “Alko Impex -General Construction”, shpk, “Ex -Fix” shpk. Vlera për një vit 659, 230. 60 euro.

Peja -2. “Graniti” shpk. Vlera për një vit 658, 202.02 euro.

Prizreni-1. “Damastion Project” shpk. Vlera për nëj vit 497, 250. 29 euro.

Prizreni -2. “Famis Co-HC” sha. Vlera për një vit 594, 257. 83 euro.

Ferizaj -1. “Via” shpk, “Eurokos Holding”, “A.L Asfalt” SHPK, “Dio Bes” SHPK, “Eurotitani” shpk. Vlera për një vit 497, 079.20 euro.

Ferizaj -2. “Damastion Project” shpk. Vlera për një vit 464, 034. 67 euro.

Gjilani -1. “El-Bau” shpk, “Gan Logistic” shpk, “Eing Com” shpk, “Avag Group” shpk, “ER-Lis”, shpk, “Limon Staneci P.N”. Vlera për një vit 479, 575. 34 euro.

Gjilani -2. “Via Egnatia”, “Humolli -S -Petrol”, shpk, “VJV Group”. Vlera për një vit 652, 324.77 euro.

Gjakova-1. “Lika Trade”, “Lika Company”. Vlera për një vit 635, 267. 03 euro.

Gjakova-2. “RSM Company” shpk. Vlera për nëj vit 470, 105. 98 euro.

Vlera totale për një vit është 7, 725, 895 euro. Për tri vite 23, 177, 685 euro. /M.B -Periskopi/

Shpërndaje në: