Rritja e çmimit të rrymës: Vetëvendosje nuk e çelë gojën

“Pse i kemi faturat e energjisë elektrike kaq të shtrenjta“, pyeste dikur kryeministri në detyrë Albin Kurti. Ani pse dikur ankohej për shtrenjtimin e rrymës, as Kurti e as anëtarë të tjerë të partisë së tij nuk po bëjnë zë pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë(ZRrE) sot mori vendim për rritjen e çmimit të rrymës […]
“Pse i kemi faturat e energjisë elektrike kaq të shtrenjta“, pyeste dikur kryeministri në detyrë Albin Kurti. Ani pse dikur ankohej për shtrenjtimin e rrymës, as Kurti e as anëtarë të tjerë të partisë së tij nuk po bëjnë zë pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë(ZRrE) sot mori vendim për rritjen e çmimit të rrymës për 16%, shkruan Periskopi.
Vetëvendosje “çele guri gojën” për rritjen e rrymës për 16%?
Kur në media patën qarkulluar lajme se po pritet shtrenjtimi i rrymës nga data 1 prill, zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka pati reaguar duke e quajtur lajmin “gënjeshtër”. Ndërkohë, kur sot rryma u rrit për 16% askush nga VV-ja s’u bë i gjallë, anipse qindra qytetarë dolën në shesh për ta kundërshtuar vendimin.

Në adresën e ZRrE kishte dërguar komente edhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila kishte vlerësuar se një rritje e tillë do ta vështirësonte jetën e qytetarëve.
Në komentet e presidentes, mes tjerash përmendej rritja e rrymës brenda 4 viteve pothuajse 126%.
Tutje, theksohej se paga mesatare në Kosovë është shumë më e ulët krahasuar me vendet e tjera të Evropës dhe bën që rritja e çmimit të rrymës të ketë ndikim të rëndë tek qytetarët kosovarë.
“Fitore për mafian energjetike”, “akt kriminal”: Reagime të shumta pas shtrenjtimit të rrymës
Pasi bordi i ZRrE hezituan të tregonin vendimin për rritjen e rrymës para mediave, në faqen e tyre zyrtare ata njoftuan se morën vendim që jo 15%, por 16% të rritet çmimi i rrymës. Pas kësaj pati reagime të shumta të cilat fajësonin qeverinë Kurti.
Visar Azemi: Rritja e çmimit të rrymës nga Qeveria në largim akt i pastër kriminal
Visar Azemi nga LDK, tha se rritja e çmimit të rrymës nga Qeveria në largim është akt i pastër kriminal.
“Rritja e çmimit të rrymës për 15% nga Qeveria në largim, është akt i pastër kriminal. Ky vendim është kulmi i një mashtrimi të madh energjetik që po i bëhet qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Azemi.
Safet Gerxhaliu: Goditje për ekonominë dhe fitore për mafian energjetike
Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu në një prononcim për Periskopin tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike ka efekte zinxhirore, duke akuzuar se kjo i shërben mafisë energjetike në Ballkan.
“Në rend të parë duhet të kuptohet e vërteta që brenga më e madhe duhet të jetë ajo që të gjithë kanë folur për rritje të çmimit të energjisë elektrike, por askush nuk ka folur për prodhimin e energjisë elektrike dhe ky është besoj ndryshimi më i madh. Në rend të dytë kjo rritje e çmimit të energjisë elektrike dëshmon edhe njëherë fitoren e mafisë Ballkanike në Evropë e në veçanti në Ballkan dhe në Kosovë. Do të thotë sot me këtë çmim është definitivisht një goditje e cila do ta prek edhe qytetarin dhe ekonominë dhe në veçanti sektorin privat prodhues dhe mbi të gjitha mbi divizonin politik ndodhi një rritje në kohën kur Kosova është pa institucion apo Qeveri në detyrë dhe pa parlament”, ka thënë ai për Periskopin.
Haradinaj: Rritja një favor i hapur për klikën mafioze energjetike, ZRrE u shndërrua në instrument të Qeverisë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kritikuar vendimin e sotëm të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), për rritjen e çmimit të rrymës duke thënë se kjo është një tjetër goditje për qytetarët e Kosovës dhe “një favor i hapur për klikën mafioze energjetike të instaluar nga kjo qeveri”.
ZRRE-ja, e cila është kthyer në një instrument në duart e Qeverisë Kurti, sot ka konfirmuar se nuk vepron më në interes të konsumatorit, por është shndërruar në mekanizëm për të justifikuar vjedhjen dhe keqpërdorimin në tregun e energjisë. Aferat me shitblerjen e rrymës nuk janë më vetëm dyshime, për to tashmë ka të dyshuar konkretë, njerëz të afërt me kryeministrin!”, ka shkruar ai.
Vlora Çitaku: ZRrE është shndërruar në mashën me të cilën Qeveria në largim po e varfëron dhe nënshtron qytetarin
Nënkryetarja e PDK-së, tha se ZRrE “është shndërruar në mashën përmes së cilës Qeveria në largim po e godet drejtpërdrejt qytetarin”.
“As nuk ke me na nënshtru, e as nuk ke me na sundu. Sepse ky popull e ka ngritë zërin edhe në kohë më të vështira, e do ta bëjë sërish”, shkroi mes tjerash Çitaku.
Kujtojmë se janë paralajmëruar edhe protesta tjera gjatë javëve në vijim.












