11 orë në arrati: Shteti në kërkim të dorasit që tronditi Gjakovën

11 orë në arrati: Shteti në kërkim të dorasit që tronditi Gjakovën

Kanë kaluar saktësisht 11 orë që nga momenti kur Gjakova u trondit nga një vrasje e rëndë në orët e hershme të mëngjesit, por i dyshuari kryesor, Nexhdet Zymberaj, vazhdon të jetë në arrati.

Policia e Kosovës është vënë në kërkim të tij në disa lokacione, mirëpo deri më tani nuk ka rënë në pranga.

Viktima e këtij rasti është Rasim Binakaj ndërkohe edhe një person tjetër ka mbetur i plagosur, sipas mjekeve ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Në vendin e ngjarjes, ekipet policore kanë gjetur dhe sekuestruar pesë gëzhoja të armës së zjarrit, si dhe një mjet të mprehtë (thikë).

Në anën tjetër, me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”.

Ndërsa Prokuroria Themelore në Gjakovë ka publikuar komunikatë zyrtare lidhur me vrasjen e sotme, duke thënë se pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet përkatëse policore dhe Kryeprokurori.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë.

Në njoftim thuhet se Prokurori i Shtetit, ka iniciuar rast për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë”.

Prokuroria gjithashtu ka njoftuar se i dyshuari është identifikuar dhe akoma ndodhet në kërkim.

“Në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të lokalizimit dhe arrestimit të personit të dyshuar, i cili tashmë është identifikuar dhe ndodhet në kërkim”, thuhet në njoftim.

Prokuroria njoftoi se janë duke u mbledhur provat dhe po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast.

Shpërndaje në: