15-vjeçarja Alea Krasniqi shpëton një jetë, nderohet nga Ferit Idrizi
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka nderuar sot 15-vjeçaren Alea Krasniqi për një akt të jashtëzakonshëm human, që i shpëtoi jetën një qytetari.
Alea, nxënëse në Shkollën e Mesme të Mjekësisë, ditë më parë kishte ofruar ndihmën e parë një personi të rrëzuar në rrugë. Falë reagimit të saj të shpejtë dhe profesional, ai arriti të mbijetojë, fakt që është konfirmuar edhe nga ekipi emergjent që kishte dalë në vendin e ngjarjes.
“Sot pata nderin të takoj 15-vjeçaren me zemër të madhe Alea Krasniqin, së bashku me prindërit e saj… Në shenjë mirënjohjeje për këtë akt të jashtëzakonshëm human, pata kënaqësinë t’i ndaj Aleas një mirënjohje në emër të komunës,” shkroi kryetari Idrizi në postimin e tij.
Ai shtoi se veprimi i Aleas është një dëshmi se “guximi, përgjegjësia dhe humanizmi nuk kanë moshë”, dhe e cilësoi atë si një prej të rinjve që përfaqësojnë krenarinë më të madhe të komunitetit.



