2.5 miliardë funta nga shitja e klubit Chelsea do t’i shkojnë Ukrainës, njofton kryeministri
Në vitin 2022, multi-miliarderi rus Roman Abramovich u detyrua nga qeveria britanike që ta shesë klubin e famshëm Chelsea, pas fillimit të invazionit rus në Ukrainë. Këto para tash do t’i shkojnë pikërisht Ukrainës.
Qeveria britanike i dha licencë rusit Abramovich që ta shesë klubin Chelsea dhe paratë t’i zotojë për ta ndihmuar Ukrainën. Këto para u vendosën në një bankë britanike dhe tash qeveria kërkon ekzekutimin e tyre në drejtim të organizatave humanitare në Ukrainë.
”Sot mund t’ju njoftoj se po e lëshojmë një licencë që të transferojmë 2.5 miliardë funtat nga shitja e Klubit Futbollistik Chelsea të cilat kanë qenë të ngrira nga viti 2022”, tha kryeministri Keir Starmer
Kryeministri po ashtu pati një mesazh për multi-miliarderin rus, i cili tani nuk ka të drejtë të hyjë në Britani dhe i ka të gjitha asetet e ngrira.
”Porosia ime për Abramovichin është kjo, koha po shkon. Përmbaju zotimit që ke bërë dhe paguaj tani, e nëse jo, jemi gati të shkojmë në gjyq në mënyrë që çdo cent shkon te ata jetët e të cilëve janë shkatërruar nga lufte ilegale e Putinit”, tha kryeministri në parlament, raporton The Telegraph.
Abramovich u konsiderua si figurë e afërt me despotin Putin, prandaj edhe u morën masa ndaj tij nga qeveria britanike që në fillim. Biznesmeni rus ishte i njohur botërisht si pronar i klubit Chelsea, ku bëri investime të mëdha që rezultuan me suksese në Premier League dhe Champions League.



