“20 euro për hyrje nga banorët e kryeqytetit në Fushë Kosovë”-Prebreza ironizon taksën e Prishtinës
Kryetari i Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka reaguar ndaj propozimit për vendosjen e një takse prej 10 eurosh për automjetet e regjistruara jashtë Prishtinës, duke paralajmëruar masa të ngjashme në komunën që ai drejton.
Në një postim në Facebook, Prebreza ka ironizuar me këtë propozim, duke theksuar se një vendim i tillë mund të pasohet me masa reciproke.
“Nëse kjo kalon në Komunën e Prishtinës, atëherë unë do të vendosi taksë ditore prej 20 eurosh për të gjithë banorët e Prishtinës që hyjnë në territorin e komunës së Fushë Kosovës, si dhe taksë për hyrjen në rrugën e aeroportit në vlerë prej 10 euro”, ka shkruar Prebreza.
Ai ka shtuar me tone ironike se masa të tilla mund të zbatohen sipas nevojës.
“Çka t’na bjen n’mend ndërkohë”, ka theksuar ai.
Sipas tij, masa të tilla do të ndikonin në lehtësimin e trafikut në komunën e Fushë Kosovës.
“Besoj që këto masa do të ndikojnë në lehtësimin e komunikacionit të stërngarkuar në Fushë Kosovë”, ka deklaruar Prebreza.
Reagimi i tij vjen pas debatit të hapur lidhur me propozimin e Komunës së Prishtinës, konkretisht nenin 14, paragrafi 2 të rregullores, i cili parasheh që çdo automjet i regjistruar jashtë territorit të kryeqytetit të paguajë 10 euro për hyrje në zonat e caktuara.



