24 hektarë Manastirit “për hatër të Rashiqit”, OVL e UÇK Kurtit: Antikombëtare, lojëra me pronën dhe territorin e Kosovës
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka reaguar ashpër pasi Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq ka deklaurar se Kurti i kishte dhënë 24 hektarë Manastirit të Deçanit për shkak të tij.
Këtë veprim të Kurtit referuar deklaratës së Rashiq, OVL-UÇK e ka quajtur si anti-kombëtare dhe kundër interesave të qytetareve të Kosovës.
“Deklaratat e një ministri se kryeministri i Kosovës i ka falur 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit “për hatër të tij, tregojnë fytyrën e vërtetë të këtij pushteti, ideologjinë e tyre antikombëtare dhe orientimin e tyre kundër interesave të qytetarëve të Kosovës. Duke ndjekur këto zhvillime të padëgjuara më parë, Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së shprehin kundërshtim të ashpër ndaj lojërave me pronën dhe territorin e Kosovës, që ky pushtet po i bën në shërbim të kapriçove dhe favoreve personale”.
“Po ashtu, edhe tentativa për ta relativizuar këtë skandal, thellon shkeljen e dinjitetit dhe ofendimin e sakrificës së popullit shqiptar dhe të rënëve për liri”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK.



