26 vjet për Calin, por shihni sa më pak u dënuan zyrtarët e lartë serbë për krime në Kosovë
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar sot nga Gjykata Speciale me seli në Hagë me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. Ky është dënimi më i lartë që është shqiptuar deri tani për krime lufte ndaj shqiptarëve. Mirëpo, një dënim aq të lartë nuk e vuajtën e as nuk po e vuajnë edhe gjeneralët e zyrtarët e lartë serbë të dënuar për krime ndaj kosovarëve në luftën e fundit…
Aktakuza e ngarkonte Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin Gollak të Kosovës. Sipas aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së paten të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash, shkruan Periskopi.
Pretendohet se viktima serb për të cilin ngarkohet Mustafa, ishte vrarë nga ushtria Serbe, por që mbahej nga komandant ‘Cali’.
Vetë Mustafa është deklaruar i pafajshëm derisa në një rast, gjykatën e ka konsideruar “zyre të Gestapos”, referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.
Mirëpo për krime makabre lufte në Kosovë, nga Tribunali i Hagës deri tash janë dënuar veç gjashtë zyrtarë të ish-Jugosllavisë. Dënimi më i madh që u është shqiptuar atyre është deri në 22 vjet burgim, përkundër gamës së madhe të krimeve.
Dënimet e tyre ishin si më poshtë:
-Zv.kryeministri i Jugosllavisë gjatë luftës në Kosovë, Nikola Shainoviç – 22 vjet burgim.
Të njëjtit, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, dënimi iu zvogëlua në vetëm 18 vjet dhe pasi mbajti dy të tretat e dënimit u lirua për sjellje të mirë. Pra në total 12 vjet burgim.
-Shefi i Armatës së Tretë të Ushtrisë së Jugosllavisë, Nebojsha Pavkoviq – 22 vjet burgim
-Shefi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP-it) për Kosovë, Sreten Lukiç – 20 vjet burgim
-Zv.ministër i Punëve të Brendshme MUP, Vllastimir Gjorgjeviq – 18 vjet burgim
-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë, Dragoljub Ojdaniç, 15 vjet burgim
-Komandanti i forcave të ushtrisë së Jugosllavisë në Prishtinë , Vladimir Lazareviq – 14 vjet burgim.
Kujtojmë që Mustafa është arrestuar dhe më pas është transferuar në njësinë e paraburgimit të Gjykatës Speciale më 24 shtator të vitit 2020.
Procesi gjyqësor ka nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe në të kanë marrë pjesë 29 dëshmitarë – 14 të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 15 të mbrojtjes.
Aty përfshihen edhe tetë viktima që kanë dhënë dëshmitë e tyre.
Ish-Prokurori i Specializuar, Jack Smith, ka thënë muaj më parë se në rastin e Mustafës, të gjitha viktimat janë shqiptarë të Kosovës./PERISKOPI/



