3 vjet burg për Dibran Fetahun, obligohet të kthejë mbi 71 mijë euro Postës në Mitrovicë
Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Dibran Fetahut, duke e gjetur fajtor për veprën penale “Përvetësimi në detyrë”, sipas nenit 425, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues i shqiptoi të pandehurit dënim me burg në kohëzgjatje prej tre (3) vjetësh, në të cilin përfshihet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.
Po ashtu, Fetahu u dënua edhe me gjobë në shumën prej 1 mijë euro, të cilën është i obliguar ta paguajë brenda 30 ditëve nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
Gjykata urdhëroi gjithashtu që i pandehuri t’i kompensojë palës së dëmtuar, Postës së Kosovës – Mitrovica 1, shumën prej 71.572,26 euro, brenda afatit prej tre muajsh nga dita kur aktgjykimi merr formë të prerë, nën kërcënimin e përmbarimit me detyrim.
Në bazë të nenit 62, paragrafi 2, pika 2.3 të KPRK-së, Fetahut i ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik për një periudhë dyvjeçare, pas vuajtjes së dënimit me burg.
Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.



