365 ditë nga marrëveshja e Ohrit: Krejt çka bëri Kosova dhe Serbia

365 ditë nga marrëveshja e Ohrit: Krejt çka bëri Kosova dhe Serbia

Sot shënohet përvjetori i parë i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit që Kosova dhe Serbia e finalizuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Pas shumë muajsh negociatash intensive, ku më 27 shkurt të 2023-ës në Bruksel u arrit një Marrëveshje Bazë, e më pas më 18 mars të atij viti, në Ohër u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes, shkruan Periskopi.

Për dallim nga një vit më parë, ku kryediplomati evropian, Josep Borrell, e quajti “shumë të suksesshëm” takimin atje, i njëjti dje foli për rezultatet e kësaj marrëveshjeje ku shprehi keqardhje në rezultatet e zbatimit.

“Neser shënohet përvjetori i parë i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit që Kosova dhe Serbia arritën në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja dhe aneksi i zbatimit të saj u arritën pas muajsh negociatash intensive nën lehtësimin e Bashkimit Europian për të ndihmuar palët të bëjnë një hap përpara në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”
“BE rikujton vazhdimisht se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj sipas ligjit ndërkombëtar. Prandaj, çdo mungesë zbatimi jo vetëm që rrezikon integrimin europian të palëve, por dëmton edhe reputacionin e tyre si partnerë të besueshëm dhe të besueshëm”, tha ndër të tjera, kryediplomati evropian, Josep Borrell.

Çfarë përmban Marrëveshja e Ohrit?

Dokumenti fillestar, të cilit tani shumica i referohen si Marrëveshja Bazë, është një dokument i përbërë me 11 nene, ku më 18 mars në Ohër, i është bashkangjitur një Aneks i zbatimit.

Këto janë të gjitha nenet e marrëveshjes së Ohrit:

1. Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe për t’i zbatuar të gjitha detyrimet e tyre përkatëse – që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi – në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

2. Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi.

3. Palët pajtohen për të miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.

4. Për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së.

5. Palët bien dakord për të krijuar një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditësh. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues.

6. Për të zbatuar Nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë shpërndarje nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.

7. Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.

8. Rendi i paragrafëve të këtij Aneksi nuk e paragjykon rendin e zbatimit të tyre.

9. Kosova dhe Serbia pajtohen që të mos e bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve.

10. Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

11. Kosova dhe Serbia pranojnë se mosrespektimi i obligimeve të tyre nga Marrëveshja, Aneksi ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar, mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe për ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.

Pikat më të “nxehta” të marrëveshjes

Nenin 7 është ndër pikat që merr më shumë vëmendje në këtë marrëveshe.

Kjo pikë ka të bëjë me sigurimin e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut.

Disa e shohin këtë pikë si referencë për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Një pikë tjetër e nxehtë është edhe zyrtarizmi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe ofrimin e një niveli të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe.

Cilat janë pasojat e moszbatimit të kësaj Marrëveshje?

“Dështimi për zbatim të kësaj Marrëveshje mund të ketë pasoja negative për të dy vendet”, deklaruan nga Bashkimi Evropian.

Për këtë, një vit më pas po ndihen pasojat që po vuan Kosova, pasi nuk po zbaton një ndër pikat kryesore që kërkohet nga ky Aneks, ai i Asociacionit.

Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës

Kujtojmë se moskoordinimi me aleatët për veprimet e Qeverisë Kurti në veri të vendit, kanë bërë që Kosova të përballet me sanksione si asnjëherë më parë.

Qeveria e Kosovës ishte njoftuar për masat e BE-së më 28 qershor dhe ato hynë në fillim të korrikut. Ato u vendosën për shkak të mospërmbushjes së kushteve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Tensionet në këtë zonë të banuar me shumicë serbe u rritën në fund të majit të vitit të kaluar.

Vlen të theksohet se rruga për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, ka qenë mjaft e vështirë dhe dëshpëruese për BE-në, kjo pasi përveq që nuk janë zbatuar shumica e pikave të kësaj marrëveshje nga dy vendet – gjatë rrugës kanë dalur edhe cështje të tjera; siç është sulmi në Banjskë nga terroristët serb, çështja e dinarit serb së fundmi e të tjera. /Periskopi/

Shpërndaje në: