Kjo është shtëpia e Jakup Krasniqit që Pacolli donte ta blente 1 milion euro (Foto)
Ndër tjerash, Lladrovci i ka shtruar një sërë pyetjesh Krasniqit për shtëpitë në Prishtinë.
“Po iu kthehemi shtëpive, Jakup. Po flasim për ndershmëri. Ku i more paratë, pas luftës, ti që flet për ndershmëri, kur bleve truall dhe ndërtove shtëpi në Prishtinë? 50 mijë marka , thonë, i ke marrë nga një biznesmen i njohur, politikan, me të cilin prapë je në lidhje. Po të tjerat, sepse shtëpia e trualli nuk blihen e nuk bëhet me aq para? Po shtëpinë – pallat që e ke tani? A iu hyjmë llogarive dhe rrogave që ke marrë ti deri në atë kohë dhe nxjerrim një përfundim të “ndershmërisë” tënde financiare?”, ka shkruar Lladrovci në llogarinë e tij në Facebook.
Por për cilin pallat të Krasniqit e pati fjalën Lladrovci?
Dy vite me parë, atëherë gazeta Tribuna në versionin e shtypur kishte shkruar për “kullën” e Jakup Krasniqit në lagjen Velania të Prishtinës, transmeton lajmi.net.
“Banorët e lagjes, ku jeton kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kanë treguar se nuk është e lehtë të ndërtohet një objekt i tillë në atë lagje të kryeqytetit po nuk pate para. Ata kanë treguar se një ari truall në atë pjesë sillet rreth 35 mijë deri në 50 mijë euro. Ndërsa vetë Jakup Krasniqi e ka pranuar se vendi ku banon ka vlerë të madhe”, thuhej aso kohe.
“Kullën” e Krasniqit kishte dashur ta blinte atëherë Behgjet Pacolli, kryetar i AKR-së.
Më shumë se 20 familje skamnore dhe fëmijët e braktisur mund të përfitonin nga një shkëmbim akuzash ndërmjet ish kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dhe ish zv/kryeministrit Behgjet Pacolli.
Dy ish-shokët e shkollës së mesme po duan të bëjnë një shkëmbin ekonomik pas akuzave ndaj njëri-tjetrit, shkëmbim nga i cili do të përfitonin të varfrit.
Shtëpia katërkatëshe e Jakup Krasniqit me mbi 500 metra katrorë mund të ishte subjekt i një shitblerjeje në vlerë prej një milion eurosh. Paratë do t’i jepte biznesmeni që është edhe lider i AKR-së, Behgjet Pacolli.
Krasniqi, nga shuma e parave do të përvetësonte vetëm 400 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër do t’u shpërndaheshin skamnorëve. Shtëpia e tij, që pastaj do të ishte në pronë të Pacollit, do të shndërrohej në strehimore për fëmijët e braktisur.
Kryeparlamentari që ka nisur subjektin e tij politik si shenjë pakënaqësie ndaj PDK-së, inatet po i shfryn në Pacollin.
Zyrtarët e PDK-së edhe më herët kanë thënë se pakënaqësia e vetme e Krasniqit ka të bëjë me garën që ka pasur me Pacollin për postin e presidentit. Krasniqi, këtë nuk e ka pranuar asnjëherë, duke thënë se dallimet e tij me PDK-së janë morale.
Derisa kanë folur për moral, lideri i AKR-së Pacolli, i kishte kërkuar shpjegime Jakup Krasniqit për shtëpinë në vlerë prej një milion eurove.




