Ministri i Infrastrukturës: Shpejt linja hekurudhore Prishtinë-Durrës
Ministri Zharku foli lidhur me “Partneritetin strategjik Kosovë – Shqipëri” dhe zhvillimin ekonomik në sektorin e energjisë dhe transportit.
“Sa i përket turizmit të gjithë jemi dëshmitarë të një rritje enorme të turistëve nga Kosova në Shqipëri, e cila për shumë qytetarë të Kosovës ka filluar të konsiderohet si shtëpi e dytë përmes blerjeve të patundshmërive të ndryshme. Në anën tjetër është shumë shpresëdhënëse edhe rritja në vazhdimësi e turistëve nga Shqipëria në Kosovë. Natyrisht, ky zhvillim i hovshshëm, qoftë i turizmit apo shkëmbimeve tregtare midis vendeve tona është arritur vetëm pas ndërtimit të rrugës së kombit gjegjësisht autostradës “Ibrahim Rugova”. Jam shumë i bindur se ky projekt madhor infrastrukturor është themeli i partneritetit strategjik midis vendeve tona. Besoj se të gjithë pajtohemi që në një të ardhme jo të largët ne duhet ta plotësojmë këtë vepër edhe me linjën hekurudhore Prishtinë – Durrës”, tha Zharku, raporton Periskopi
Ai tha se tashmë ka një rritje të shkëmbimeve tregtare Kosova, por ende nuk e ka partner kryesor tregtar Shqipërinë. Me këtë rast, sipas tij, pa dyshim se edhe bizneset mbajnë barrë të madhe të fajit.
“Bizneset e të dyja vendeve ende nuk e kanë njëra-tjetrën zgjidhje të parë. Poashtu, barrierat e ndryshme administrative nga të dyja palët ende janë prezentë. Në bazë të marrëveshjes aktuale ne kemi të liberalizuar transportin bilateral por ende e kemi nën regjimin e lejeve transportin për dhe nga vendet e treta. Kemi të përcaktuar një numër simbolik të lejeve, të cilat nuk shfrytëzohen. Vitin e kaluar jemi ballafaquar me problemin e tahografëve, që do të duhej të zgjidhej përmes marrëveshjes së nënshkruar në mbledhjen e fundit të dy qeverive. Partneriteti strategjik nënkupton përkrahjen e njëra-tjetrës për zgjidhjen e problemeve më palët e treta ku kanë ndikim e jo krijimi i vështirësive për njëra-tjetrën”, tha ai./ Periskopi



