Krishtlindjet, kuriozitete mbi festën

Krishtlindjet, kuriozitete mbi festën

Mesha për katolikët fillon sonte, në mesnatës es së shtunës dhe të dielës.

Krishtlindja është festa me e rëndësishme e të krishterëve. Ajo festohet çdo vit më 25 dhjetor, ditën kur besohet se lindi Jezu Krishti.

Zyrtarisht këtë feste për herë të parë e kremton edhe komuniteti protestant, që njihet me emrin Vëllazëria Ungjillore.

SI LINDI FESTA?

Krishtlindja (edhe “Kërshëndellat” apo shkurt “Kshnellat” ndër besimtarët katolikë) është një festë fetare e krishterë. Të krishterët e festojnë çdo vit më 25 dhjetor ditëlindjen e Jezus Krishtit; në kishat e Lindjes festohet më 7 janar, për shkak të kalendarit Julian. Pas Pashkëve është festa më e rëndësishme për të krishterët. Ditëlindja e Krishtit (24-25 dhjetori) është thjeshtë simbolike, dhe nuk është menduar të jetë data e vërtetë e lindjes se Tij.

Rëndësia e ditës së Krishtlindjes nisi të rritet dalëngadalë pas kurorëzimit të Karlit të Madh në vitin 800, ditën e Krishtlindjes. Sot dita e Krishtlindjes kremtohet me shfaqjen e skenës së lindjes së Krishtit, pemën e Krishtlindjes, shkëmbimin e dhuratave dhe Kartolinave, familjen e bashkuar, dhe ardhjen e Shën Nikollës apo Plakut të Vitit të Ri në prag të Krishtlindjes apo mëngjesin e Krishtlindjes.

KRISHTLINDJET, HISTORI ALTERNATIVE

Krishtlindjet kanë patur një histori të gjatë dhe të shumëllojshme. Janë festuar nëpër shekuj nga popuj të ndryshëm, në kohëra të ndryshme, në vende të ndryshme dhe në mënyra shumë të ndryshme.

Mesi i dimrit ka qenë prej kohësh një kohë për të festuar në të gjithë botën. Shumë shekuj përpara mbërritjes së njeriut me emrin Jezu Krisht, evropianët e hershëm festonin dritën dhe lindjen në ditët më të errëta të dimrit. Shumë njerëz ngazëlleheshin dhe gëzonin gjatë solsticit dimëror, atëherë kur më të keqen e dimrit e kishin lënë tashmë pas dhe kur prisnin tanimë ditë më të gjata dhe më shumë orë me dritën e diellit.

Në Skandinavi, norvegjezët festonin Julin që nga 21 dhjetori, solsticit dimëror deri në fund të janarit. Duke vlerësuar rikthimin e diellit, etër dhe bij sillnin në shtëpi trungje të mëdhenj, të cilëve më pas u vinin flakën. Njerëzit festonin deri kur trungu digjej plotësisht, gjë që mund të kërkonte deri 12 ditë. Norvegjezët besonin se çdo shkëndijë prej zjarrit përfaqësonte një gic apo viç të ri që do të lindte vitin e ardhshëm. Edhe simbolet e festimet e Krishtlindjeve me të cilat jemi mësuar janë kombinim i traditave të ndryshme: Pema është një traditë tipike nordike.

Në Gjermani, njerëzit nderonin perëndinë pagane Oden gjatë pushimeve të mesit të dimrit. Gjermanët ishin të tmerruar prej Odenit, teksa besonin se ai fluturonte natën nëpër qiell për të vëzhguar njerëzit e tij dhe më pas vendoste se kush do të kish begati dhe kush do të zhdukej. Për shkak të pranisë së tij, shumë njerëz zgjidhnin të qëndronin brenda.

Në Romë, aty ku dimri nuk ishte aq i egër, festohej Saturnalia – një ditë pushimi në nderim të Saturnit, perëndisë së bujqësisë. Duke filluar nga java e solsticit dimëror dhe duke vazhduar për një muaj, Saturnalia ishte një kohë hedoniste, kur kish me bollëk ushqime dhe pije dhe kur rendi normal shoqëror romak përmbysej. Për një muaj, skllevërit bëheshin zotër. Fshatarët merrnin komandën e qytetit. Bizneset dhe shkollat mbylleshin me qëllim që të gjithë të argëtoheshin.

Gjithashtu, në kohën e solstikut dimëror, romakët festonin gjithashtu Juvenalian, një festë ku nderoheshin fëmijët e Romës. Veç kësaj, pjestarë të klasave të larta shpesh herë festonin ditëlindjen e Mithrës, perëndia e diellit të papushtueshëm, në 25 dhjetor. Besohej se Mithra, një perëndi-fëmijë, kish lindur nga një shkëmb. Për disa romakë, ditëlindja e Mithrës ishte më e shenjta ditë e vitit.

Në Persinë antike, solstici i dimrit celebronte duke kënduar himnin që tregonte lindjen e botës. Në Aleksandri të Egjyptit ajo pati shprehjen më të plotë, para epokës kristiane, në festën e madhe të lindjes së Horus.

Shpërndaje në: