Vdes legjenda e muzikës botërore, George Michael
Lajmi është bërë i ditur nga agjenti i tij.
Këngëtari, i cili e nisi karrierën në vitet ’80 me duon Wham! dhe më pas e vijoi suksesin e tij si performues solo, sipas BBC, “vdiq në paqje në shtëpinë e tij”.
Paraprakisht, policia thotë se vdekja e Michael ka ardhur për shkaqe natyrale. Megjithatë ende nuk ka detaje për shkakun që çoi në ndarjen e parakohshme të tij nga jeta.
Michael, emri i vërtetë i të cilit ishte Georgios Kyriacos Panayiotou, lindi më 25 Qershor të 1963 në Londër. Ai numëron më shumë se 100 milionë albume të shitura gjatë karrierës muzikore.
Në deklaratën për mediat, agjenti i tij tha: “Me hidhërim të madh ju njoftojmë se, djali jonë i dashur, vëllai dhe miku George u nda nga jeta paqësisht në shtëpinë e tij gjatë Krishlindjeve. Familja ju lutet të respektoni privatësinë në këtë moment të vështirë. Momentalisht nuk do të ketë komente të mëtejshme”.
Kënga e tij “Last Christmas” është një hit botëror i cili çdo vit është dëgjuar në krejt globin. Vdekja e tij në Krishtlindje është një ironi e fatit.



