Futbollisti që fiton 77 euro në minutë
Këto nuk janë shifrat e fitimeve të një bankieri në Wall Street, por një djaloshi të rritur mes varfërisë në Buenos Aires që tani profesion ka futbollin, shkruan Top Channel.
Carlos Tevez ka zyrtarizuar më në fund transferimin e bujshëm te Shangai Shenhua në kampionatin kinez, dhe mediat sportive europiane kanë nxituar të përkthejnë në detaje, se çfarë i kushton argjentinasi, aksionerëve aziatikë. Futbollisti argjentinas me thuajse 80 milionë euro në dy vitet e ardhshme, mund t’i lejojë vetes çdo luks.
Një Porsche në ditë, një helikopter çdo javë e madje dhe një ishull personal për të kaluar pushimet në parajsën tokësore të Belize-së. Me 615 mijë paund në javë që i garanton ekipi kinez, Tevez është gati të kthehet në një faraon të futbollit.
Këto janë shifra të paimagjinueshme për një qytet që pagën mesatare e 300 euro në muaj. I dyti në listën e më të paguarve, është sërish një futbollist i transferuar në Kinë së fundmi, braziliani Oscar që do të marrë 400 mijë paund në javë, në spondin tjetër të qytetit të Shangait.



