Avdijaj: Unë zgjodha Shqipërinë, por ata nuk më deshtën
20-vjeçari me origjinë nga Kosova, por që ka lindur dhe është rritur në Gjermani, ka vendosur për të mbrojtur ngjyrat e Përfaqësueses së Kosovës.
Por, anëtari i Schalke thotë se kishte zgjedhur për të luajtur për Kombëtaren Shqiptare, por Federata Shqiptare e Futbollit e kishte injoruar atë.
“Unë e kam zgjedhur Shqipërinë, por Shqipëria nuk më dha asnjëherë mundësinë për të luajtur për të”, ka thënë Avdijaj për Periskopin.
“Kosova është vendi i prindërve të mi dhe jam shumë i lumtur që kam bërë këtë zgjedhje”.

Ai foli edhe për synimet që ka me Kosovën, ku nuk lë pa përmendur dëshirën për t’u kualifikuar në Euro 2020 me ‘Dardanët’.
“Mendoj se ne si ekip shumë shpejt do ta bëjmë kombëtaren tonë një ekip të fortë dhe të vështirë për t’u mposhtur. Unë besoj se do të kualifikohemi në Euro 2020”, shtoi Avdijaj.
Krejt në fund, Avdijaj foli edhe rreth të ardhmes me skuadrën e tij, Schalken, te e cila e sheh vetën edhe për shumë vite.
“Jam shumë i lumtur në Schalke dhe nuk e mendoj largimin. Shpresoj ta vazhdojmë bashkëpunimin edhe për shumë vite të tjera”, përfundoi talenti i madh.

Vlen të ceket se Avdijaj ishte i huazuar në sezonin e kaluar te Sturm Graz në Austri, ku edhe shkëlqeu duke shënuar plot nëntë gola në 42 paraqitje.

Ndërsa, Schalke e sheh atë si talent të së ardhmes, në kontratën e të cilit ka vendosur një klauzolë prej 50 milionë euro.
Gjithsesi, Donisi ka talent të jashtëzakonshëm dhe në një të ardhme të afërt me shumë mundësi do të transferohet te ndonjë klub shumë i madh.
Dhe padyshim, ai, bashkë me Milot Rashicën, Bernard Berishën e Bersant Celinën do të formojnë një katërshe fantastike te Kosova. /Periskopi.com



