Bon Jovi i dhuron fanses së sëmurë me tumor kitarën e tij
Një grua e sëmurë me tumor në mushkëri ka takuar këngëtarin e saj të preferuar. Vajza e Carol Cesario, Rosie Skripkunis nga Nju-Xhersi apeloi në rrjetet sociale se donte të realizonte ëndrrën e nënës së saj për të takuar Bon Jovin.
Ky i fundit nuk u mendua dy herë dhe iu përgjigj menjëherë, duke e ftuar fansen në restorantin e tij. Këngëtari i famshëm, i bëri një surprizë të bukur, duke i dhuruar kitarën personale, një libër dhe një… puthje.
Skripkunis ka deklaruar se mamaja e saj e ka adhuruar gjithnjë këngëtarin nga Nju-Xhersi dhe ka mbetur e befasuar kur Bon Jovi iu përgjigj apelit në “Facebook”.
Por jo vetëm. Menjëherë pas takimit, ai ka postuar edhe një video ku shfaqet mamaja, e cila ndërsa darkon i bëhet një surprizë nga Bon Jovi.
“Sot ëndrra e mamasë u realizua. Pas 30-vitesh dashuri për Bon Jovin, më në fund ajo e takoi atë. Ai na ftoi në restorantin e tij për darkë, duke suprizuar mamanë. Bon Jovi qëndroi gati dy orë me ne”, shkruan në “Twitter” vajza.



