Komuna e Mitrovicës: S’kemi kompetenca për “Car Llazarin”
Kjo gjë sigurisht që nuk i pëlqen as kryetarit Agim Bahtiri. Blerina Kastrati, zyrtare për informim në komunën e Mitrovicës për lajmi.net tha se janë të pa fuqishëm për të ndërrmarrë diçka.
“Siç e dini, në veri të lumit Ibër, tashmë është duke funksionuar Komuna e Mitrovicës Veriore. Lokacioni ku është ngritur shtatorja e Car Llazarit, i takon kësaj komune, që do të thotë se komuna që gjendet në pjesën jugor të Ibrit, pra komuna e vjetër, nuk ka kurrfarë kompetencash në territorin e komunës së re në veri të Mitrovicës”, tha Blerina Kastrati, zyrtare për informim e komunës së Mitrovicës Jugore.
Në veri të Mitrovicës, në rreth-rrotullimin kryesor, është vendosur të dielën në mbrëmje një përmendore e princit serb Llazar, e lartë 7.5 metra.
Përmendorja e vendosur në këtë anë të qytetit thuhet të jetë pjesë e një ikonografie për nder të Ditës së Shën Vidit, që kremtohet nga komuniteti serb, në fund të muajit qershor.
Është paraparë që përmendoren ta zbulojë drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, më 28 qershor, kur edhe shënohet Dita që komuniteti serb e quan “Vidovdan”.
Vendimin për ngritjen e këtij monumenti e ka marrë shumica e këshilltarëve të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, por me kundërshtimin e këshilltarëve të komuniteteve jo serbe. Monumenti, siç kanë thënë ata, është financuar nga donatorët.
Në qytet, ndërkaq, reagimet kanë qenë të ndryshme, varësisht nga përkatësia etnike. Për pjesëtarët e komunitetit serbë, që janë shumicë në këtë pjesë të qytetit, vendosja e Përmendores është rikthim tek “rrënjët serbe”.



