Sindikata mbron mjekët e akuzuar në “Rastin Stenta”
As presidenca e as krerë të institucioneve ekzekutive e legjislative nuk i kanë komentuar kërkesat dhe shqetësimet e mjekëve të klinikës së kardiologjisë, të cilët kanë kërkuar trajtim dinjitoz ndaj tyre.
Mantëlbardhëve u ka dalë në krah sindikata e QKUK-së, të cilët po e akuzojnë pushtetin për degradim të sistemit shëndetësor, raporton KTV.
Kryetarja e Odës së Mjekëve, Zylfie Hundozi, konfirmon të mos jetë kontaktuar institucioni që drejton nga prokuroria. Thotë se ende nuk kanë marrë as kompetencat që u takojnë.
“Ministria e shëndetësisë nuk na ka kaluar ende kompetencat nga këshilli etik te oda e mjekëve edhe përkundër faktit se kanë kaluar të gjitha afatet ligjore prandaj ne nuk mund të ndërmarrim asgjë. As prokuroria nuk ka kërkuar ende mendimin profesional nga ne edhe pse ne jemi munduar disa herë që të shprehim atë. Deri tash nuk kemi mundur të reagojmë asgjë”, ka thënë ajo.
Ndërkohë, Xhemajl Selmani, Kryetar i Sindikatës së QKUK-së ka kërkuar nga krerë institucionesh që të ndërmarrin diçka në përmirësimin e kushteve të punës, në mënyrë që këta mjekë të veprojnë profesionalisht.
Të indinjuar për trajtimin nga institucionet e drejtësisë, para 4 ditësh, mjekë të klinikës së kardiologjisë iu drejtuan krerëve më të lartë të shtetit. I vetmi institucion që u është përgjigjur ka qenë Prokuroria e Shtetit, e cila ka kërkuar që të bashkëpunojnë me institucionet e drejtësisë e të mos frikësohen.



