Kush është Lumir Abdixhiku, kryetari i ri i LDK-së?

Kush është Lumir Abdixhiku, kryetari i ri i LDK-së?

Lumir Abdixhiku është zgjedhur kryetar i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë më të vjetër parlamentare në Republikën e Kosovës. Ai do të jetë kryetari më i ri që ka pasur ndonjëherë LDK-ja në 32 vjet ekzistencë.

Abdixhiku në dhjetorin e 1989-s, kur po themelohej LDK-ja, ishte vetëm gjashtë vjeçar. Dhe tash, 31 vjet më vonë, si 37 vjeçar ai ia doli të bëhej kryetar i kësaj partie.

Ai i mori në këtë proces votimi 190 vota, ose më shumë se gjysmën për t’u shpallur kryetar qysh në raundin e parë.

Abdixhiku do të jetë kryetari i katërt i Lidhjes Demokratike, pas Ibrahim Rugovës [1989-2006], Fatmir Sejdiu [2006-2010] dhe Isa Mustafa [2010-2021].

Karriera e z.Abdixhiku në sferën publike nisi qysh para dhjetë vitesh në fushën e publicistikës, shkruan Periskopi.

Karrierën politike ai e nisi vetëm para 4 vitesh, duke u bërë pjesë e LDK-së për shkak të bindjeve ideologjike.

Ai është lindur më 22 prill të vitit 1983 në Prishtinë dhe mban PhD për Ekonomi nga Universiteti i Staffordshire në Angli. Ai kishte udhëhequr për gjatë kohë institutin Riinvest, më të vjetrin dhe më të madhin “think-tank” në Kosovë, ku kishte avokuar në fushën e privatizimeve, zhvillimit ekonomik dhe demokratizimit të vendit.

Ai ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës në Legjislaturën e VI të saj, dhe është zgjedhur në këtë funksion edhe në Legjislaturën e VII.

Kryetari i ri i LDK-së kishte qenë ministër i Infrastrukturës në Qeverinë Kurti që rrodhi nga partneriteti i shkurtër VV-LDK. /Periskopi

Shpërndaje në: