Zhduken në mënyrë misterioze fotografitë e Skënderbeut, Adem Jasharit e Nënës Terezë nga zyret e KUR ‘Prishtina’

Zhduken në mënyrë misterioze fotografitë e Skënderbeut, Adem Jasharit e Nënës Terezë nga zyret e KUR ‘Prishtina’

Në zyret e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Prishtinë’, përkatësisht në sallën e takimeve të Ujësjellësit, për një kohë të gjatë kanë qëndruar fotografi të heronjve kombëtarë, përfshirë Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, komandatit Adem Jashari dhe Nënës Terezë. Mirëpo këto fotografi, nuk janë më aty. Ish-ushtruesi i detyrës së kryeshefit, Kapllan Parduzi, i tha Periskopit se këtë e ka bërë kryeshefi aktual Sokol Xhafa, por ky i fundit e mohon në një përgjigje dhënë Periskopit…

***

Kapllan Parduzi, ish-ushtrues i detyrës së kryeshefit të KUR ‘Prishtina’, i ka thënë Periskopit se fotografitë janë larguar nga kryeshefi aktual i Kompanisë, z.Sokol Xhafa. Xhafa, u emërua kryeshef i Kompanisë vitin e kaluar, kur Qeveria Kurti (sa ishte në shkarkim) pati shkarkuar zyrtarë të kësaj ndërmarrjeje, duke emëruar të tjerë, përmes Bordit të Përkohshëm të KUR ‘Prishtina’.

Parduzi i tha Periskopit se largimi i fotografive ka ndodhur gjatë kohës sa ishte në pushim dhe se nuk e di se cilat janë arsyet se pse janë hequr këto fotografi.

“Unë kam qenë në pushim vjetor dhe kur kam ardhë e kam pa që janë larguar. Kanë qenë tri fotografi, fotografia e Skenderbeut, e Nënës Terezë dhe e Adem Jasharit, të triat i ka hjekë, janë hequr nga salla e takimeve nga Sokol Xhafa u.d e kryeshefit”, u shpreh ai.

Periskopi ka kontaktuar z.Xhafa dhe në një përgjigje të shkurtër përmes mesazhit thotë:

“I nderuar, në zyrën time nuk kane qene asnjëherë këto fotografi. Ka qene foto e Presidentit dhe shpejt do te vendoset fotoja e Presidentes aktuale siç e don rregulli dhe ligji. Per te gjithë Heronjtë tjerë apo figura emlematike te vendit dhe kombit tonë, janë institucionet qe i rregullojnë”, ka thënë z.Xhafa në një përgjigje për Periskopin.

Emërimi i Sokol Xhafës në krye të Ujësjellësit ‘Prishtina’, pati marrë kritika të ashpra nga media dhe shoqëria civile. Kjo, për shkak të afërsisë së tij me partinë Lëvizja Vetëvendosje.


(Foto: Sokol Xhafa)

Megjithëse vet Xhafa i pati quajtur ‘shpifje’ këto raportime, mediat patën publikuar edhe fotografi të tij, ku shihej në sfond logoja e partisë së z.Kurti, Vetëvendosje dhe shihej Xhafa në njërën nga ndonjë mbledhje të kësaj partie. /Periskopi/

 

 

 

Shpërndaje në: