Veton Surroi e lë të hapur mundësinë e rikthimit në politikë

Veton Surroi e lë të hapur mundësinë e rikthimit në politikë

Shkrimtari e publicisti Veton Surroi nuk ka mohuar rikthimin në politikë, por jo për të marrë.

“Unë kam qenë në politikë për të dhënë, jo për të marrë, po të ketë nevojë nuk do ta mohoja angazhimin tim”, citohet të ketë thënë Surroi në promovimin e librit të tij “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit”, raporton Top Channel.

Vepra letrare “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit”, e shkrimtarit dhe publicistit Veton Surroi, që ndërlidh historitë e ndryshme njerëzore dhe abuzimin ndaj grave në vendet dhe nga njerëzit më pak të pritshëm, u promovua edhe në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.

Krahas interesimit të të pranishmëve për libër dhe vlerësimeve të larta për të, Surroi u pyet edhe për atë se pse shkruan letërsi dhe pse publicistikë.

Sipas Surroit, të jetosh në mesin e shqiptarëve dhe shoqërisë shqiptare, është sikur të jetosh në mesin e shumë demonëve. Surroi në këtë promovim ka folur edhe për skenën politike shqiptare, që sipas tij, ajo ka pasur vetëm një qëllim.

“Për fat të keq, në shtetet shqiptare në përgjithësi, politika ka qenë një formë që njerëzit janë futur për të nxjerrë përfitime. Është e turpshme që pas kaq shumë vitesh tranzicioni të nevojitet që ambasadorë të huaj të vijnë dhe të ndërmjetësojnë mes shqiptarëve për formën se si duhet të duket institucioni i drejtësisë në Shqipëri”, është shprehur Surroi.

Ndërsa, i pyetur edhe për një rikthim të tij në politikë, ai ka deklaruar se nëse politika do të ketë nevojë për të, ai nuk e mohon një angazhim të tij.

Shpërndaje në: