Ja kur pritet të vijnë të burgosurit nga Danimarka, krejt çka thuhet në marrëveshjen për burgjet

Ja kur pritet të vijnë të burgosurit nga Danimarka, krejt çka thuhet në marrëveshjen për burgjet

300 të burgosur nga burgjet e Danimarkës do të vuajnë dënimin në burgjet e Kosovës.

Për transferimin e tyre në qelitë e Qendrës Korrektuese në Gjilan, në tre muajt e parë të vitit 2023, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Danimarkës të hënën kanë nënshkruar dy letërkëmbime. Sipas kësaj marrëveshjeje, Qendra e Paraburgimit në Gjilan për 10 vite do të jepet me qira për shtetin e Danimarkës.

Në letër-qëllimin e përbashkët, që u nënshkrua nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si dhe Ministri i Drejtësisë së Danimarkës, Nick Haekkerup, të cilën e ka siguruar Demokracia.com, thuhet se Qeveria e Kosovës do t’i ofrojë Mbretërisë së Danimarkës, kapacitetet e burgut, gjegjësisht institucionit korrektues që gjendet në Gjilan për 300 të burgosur, për qëllimin e ekzekutimit të dënimeve daneze dhe do të bëjë rregullimet e nevojshme për çdo lehtësi për të siguruar që ai është në përputhje me ligjet dhe standardet daneze.

“Qeveria e Danimarkës synon të paguajë një tarifë vjetore për përdorimin e një burgu prej 15,000,000 euro në varësi të numrit të të burgosurve për të cilin objekti është bërë i përshtatshëm në përputhje me rregullat dhe rregulloret daneze, me një tarifë të reduktuar për 12 muajt e parë të vitit përdorimi i burgut si periudhë tranzicioni. Qeveria e Danimarkës synon gjithashtu të paguajë një tarifë fillestare prej 5,000,000 euro për të mbuluar periudhën e tranzicionit, derisa burgu të jetë përfunduar dhe plotësuar me personel. Këto tarifa do të mbulojnë të gjitha kostot që lidhen me një marrëveshje të tillë”, thuhet në letër-qëllimin e nënshkruar mes dy shteteve.

Tutje aty thuhet se Mbretëria e Danimarkës do të jetë përgjegjëse për ekzekutimin e dënimeve daneze dhe do të sigurojë menaxhimin e nevojshëm për të siguruar që dënimet të ekzekutohen në përputhje me ligjet dhe detyrimet ndërkombëtare të Mbretërisë së Danimarkës.

“Qeveritë do të marrin masat e nevojshme për të siguruar që ekzekutimi i dënimeve të kryhet në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Mbretërisë së Danimarkës”, thuhet tutje në letërqëllim.

Po ashtu, sipas saj, përdorimi i kapacitetit të burgjeve në Republikën e Kosovës nga Mbretëria e Danimarkës duhet të specifikohet më tej në një traktat ndërmjet dy qeverive.

Gjithashtu, qeveritë do të shqyrtojnë mundësitë e bashkëpunimit më të gjerë ndërmjet Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Shërbimeve Daneze të Burgjeve dhe Sprovës.

Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Danimarkës përmes kësaj marrëveshjeje synojnë të forcojnë edhe më tej bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e kahershme ndërmjet dy vendeve. Në marrëveshje thuhet tutje se kjo po bëhet pasi që Shërbimi Danez i Burgjeve dhe Provës është shumë i mbingarkuar.

Shpërndaje në: