Editorial i Periskopit: My Kingdom for a Horse! *
Nuk u desh fort të kuptohet se presidenti i Kosovës është në frikë nga Gjykata Speciale. Farsa publike e tij me rrezikun nga lufta me Serbinë javën e kaluar e pati vetëm këtë qëllim: të shkaktojë frikë brenda një popullate që ka traditë në naivitet e padituri – e me këtë ta shantazhojë rajonin dhe bashkësinë ndërkombëtare.
‘Ditët e rënda’ që na pritkan me Serbinë ishin përpjekje e tij për t’i dërguar mesazh bashkësisë politike ndërkombëtare. Sipas tij, duhet të jetë ‘dikush’ në atë bashkësi që vendos nëse ai do të akuzohet nga Gjykata Speciale. Sipas tij, ky ‘dikush’ duhet të jetë politikan apo grup politik. Gjithnjë sipas tij, ky ‘dikush’ me siguri mendon dhe gjykon politikisht. Rrjedhimisht, ky është i gatshëm për kompromis dhe ndërrim të mendjes.
Pra – e tëra që duhet të bëhet është t’ia ndërrosh mendjen ‘dikujt’ që vendosë për Gjykatën Speciale. Sipas kësaj logjike, kjo arrihet nëse këtë dikushin e bind që arrestimet nga Gjykata Speciale mund të shkaktojnë luftë mes Serbisë dhe Kosovës. Më saktë, nëse atë e bind se Hashim Thaçi është ai që mund të shkaktojë luftë. Dhe, rrjedhimisht, ai që mund ta shkaktojë luftën, ai mundet ta parandalojë. Shkurt, një njeri i tillë qenka i pazëvendësueshëm për paqe dhe për luftë. I pazëvendësueshëm për jetë dhe vdekje.
Këtë imazh u përpoq ta reflektojë për veten presidenti Thaçi gjatë një jave të luftës sonë me Serbinë nëpër portale dhe rrjete sociale. Siç edhe e do zakoni, ishte luftë që filloi me panik, kulmoi në komedi dhe mori fund si farsë. Ishte kjo logjika politike që e përfaqësoi presidenti Thaçi në dy javët e kaluara. Farsë primitive e mendjes provinciale. Ishte farsë, jo për faktin se nuk mund të shkaktohet konflikt me Serbinë – por pse kjo punë nuk varet prej Thaçit. As që është varur ndonjëherë. As që do të varet.
Këto ditë, presidenti Thaçi dëshmoi se duhet të flet edhe dokrra fëmijësh për t’u dukur i rëndësishëm. Iu desh ta shtojë dramën e fjalëve vetëm për ta kthyer pak vëmendjen kah vetja. Vëmendje për të nuk ka më as brenda e as jashtë vendit. Brenda, nuk qe në gjendje ta tremb as kryeministrin Mustafa dhe LDK-në e tij. Jashtë, deklarimet e tij ‘luftarake’ nuk i përfilli kush. Jo në Bruksel as në Berlin, e në Washington – jo se jo.
Si edhe zakonisht, asgjë nuk shkaktohet nga deklarimet dhe parashikimet apokaliptike të Thaçit president. Së paku, jo nëpër ato qarqe që vendosin për Kosovë, Serbi dhe Ballkan. Për momentin këto qarqe kanë telashe shumë më të mëdha. Edhe nëse ai ka dyshuar ndonjëherë në këtë gjë, tash e ka të qartë. Një ditë pas parashikimit të tij për ‘ditët e rënda’ pasoi telefonata qortuese e Federica Mogherinit nga Brukseli. Menjëherë, Thaçit iu desht të del në konferencë për media dhe ta ulë zërin ndër shalë.
Por, çka do të ndodh tutje?
Pakgjë. Ajo që dihet është se në javët dhe muajt e ardhshëm, presidenti i Kosovës do të heqë dorë nga fjalori azgan. Qartazi, ai nuk dha ndonjë efekt. Presim që tash ta kthejë bigën dhe ta luajë letrën e ‘partnerit të arsyeshëm’ duke iu ngjitur pas delegacionit qeveritar saherë që niset për ta negociuar poshtërimin e radhës në Bruksel. Do të shpresojë që mirësjellja si djalë i mirë do t’ia ndryshojë mendjen atij dikujt që vendosë për të dhe për Gjykatën.
Kësisoji do të vazhdojë derisa presidenti Thaçi ta kuptojë se sjellja, deklarimet e fjalët e thëna nuk kanë më rëndësi për fatin e tij. Nëse edhe e merr Gjykata Speciale, kjo nuk do të bëhet pse ai nuk është djalë i mirë sot, por pse ka të ngjarë të ketë qenë i keq më herët. Fati i tij nuk është më në duart e tij. Sidomos jo tash, dy vjet pas votimit të Ligjit për Themelimin e Gjykatës Speciale – të cilin e përkrahu heroikisht.
Do të jenë javë dhe muaj të mundimshëm për udhëheqjen tonë politike. Gjërat që varen prej saj nuk do të mund t’i rregullojë meqë nuk ka tru: shtetin, për shembull. Gjërat që nuk varen prej saj nuk do të mund t’i parandalojë meqë nuk ka fuqi: gjykatën, Serbinë dhe Rusinë, për shembull.
Në situatë të tillë, presim që udhëheqja jonë politike ta bëjë të vetmen gjë që mundet, e që e ka bërë rregullisht deri sot. Ta rrëzojë veten. Në pamundësi të ndikimit në fatin e vet, kjo udhëheqje – me gjithë Thaçin president – do ta thyejë kerrin për t’i hapur udhë vetes. Këto ditë, prishja e koalicionit, shpërndarja e kuvendit dhe shkuarja në zgjedhje janë biseda që më shumë i zhvillon pushteti se sa opozita.
Nuk duket të jetë larg dita kur ky koalicion qeveritar do të rrëzohet nga vetja. Arsye kryesore për këtë do të jetë Gjykata Speciale, këtu nuk ka dilemë. Sa për për presidentin Thaçi, lufta me Serbinë do të ishte skenar më i parapëlqyeshëm – por ja që nuk varet prej tij. Akti i fundit që ka mbetur është shkrepja e plumbit në këmbë. Ndoshta del diçka.
Kësisoj, besojmë, do të vazhdojnë ngjarjet. Dramatike, por jo të paparashikuara. Megjithatë, një gjë e kuptuam gjatë javës së kaluar të konfliktit virtuel me Serbinë: po të kishte pasur mundësi, presidenti Thaçi vërtet do ta fuste në luftë vendin për ta shpëtuar veten. Do ta jepte mbretërinë për një kali.
** Klithma e mbretit anglez Richard III nga paniku i vdekjes në fushëbetejë. Marrë nga tragjedia Richard The Third nga William Shakespeare.



