Bllokimi i vizave – Rriten tensionet, Turqia i përgjigjet ashpër Trumpit
Është ky reagimi i parë i Ankarasë për urdhrin e diskutueshëm. Kurtulmus i bëri thirrje Trumpit të rishqyrtojë vendimin, i cili, siç tha, është motivuar nga islamofobia, raporton AFP, transmeton Rel. “Është e pamundur të pranohet kjo. Politika duhet të rishqyrtohet”, tha Kurtulmus, i cili është edhe zëdhënës kryesor i Qeverisë turke.
Të premten, Trump ka lëshuar një urdhër ekzekutiv që u ndalon hyrjen në SHBA të githë refugjatëve dhe udhëtarëve nga shtatë vende me shumicë myslimane: Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni. Urdhri, tani për tani, vlen për 90 ditë.
Trump e ka mbrojtur këtë masë, duke thënë se ajo do ta bëjë SHBAnë të sigurt nga “terroristët radikalë islamikë”.
Kurtulmus tha se është “jashtëzakonisht fyese që një vendim i tillë është marrë në një vend si SHBAja, që njihet si komb me fe dhe grupe të ndryshme etnike”.
Turqia strehon 2.7 milionë refugjatë sirianë, që kanë ikur nga lufta gati gjashtëvjeçare në vendin e tyre.



