Haskuka për murin: Qeveria, e pafuqishme përballë simbolit të krimit e ndarjes
Për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka, kjo tregon se sa seriozisht i merr Qeveria, rezolutat e Kuvendit të Kosovës.
Në një prononcim për Periskopin, Haskuka ka thënë se kjo tregon joseriozitetin e institucioneve të Kosovës.
Por, ai shpreson që kjo do të jetë rezoluta e fundit që nuk do të respektohet nga Qeveria.
Haskuka ka deklaruar se Qeveria vetëm lëshon deklarata, por kur vie puna tek veprimet, nuk bën asgjë.
“Kjo qeveri është impotente ndaj kriminelëve, qofshin ata kriminel ordiner, të korruptuar apo struktura kriminele të shtetit të Serbisë në Kosovë. Qeveria vetëm lëshon deklarata si organizatë joqeveritare, por kur puna vjen në veprim nuk bën pothuajse asgjë. Pra kjo qeveri nuk mund të veprojë kundër krimit ngase është përfaqësuese e interesave të krimit prandaj nuk besoj që do të mund të veprojë kundër murit i cili është simbol i krimit dhe i ndarjes”, ka thënë Haskuka për Periskopin.
Por, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje tha se përderisa strukturat kriminale të Serbisë të rrahin, vrasin e kërcënojnë qytetarët, nuk mund të flitet vetëm për murin.
“Muri nuk është problemi kryesor i Kosovës por ajo është forma vizuale e ndarjes që është bërë Kosovës, dhe në këtë aspekt duhet të adresohet nga shteti i Kosovës. Nuk besoj që heqja e murrit do të rezultojë në diçka shumë të rëndësishme nëse nuk hiqet ndikimi i Serbisë nga pesa e veriut, dhe në këtë aspekt derisa strukturat kriminele të Serbisë në pjesën veriore të Kosovës rrahin, vrasin dhe i kërcënojnë qytetarët ne nuk mund të flasim vetëm për murin. Serbia gjithmonë për të përfituar politikisht thellon krizat dhe radikalizohet ashtu që një tërhiqje e vogël të duket si koncesion. Ashtu ishte kur u bllokua urra e Ibrit e pastaj me marrëveshjen u duk sikur qe pala serbe bëri koncesione e në fund në vend të bllokadës në urë na dul murri pak më lartë”, ka deklaruar Haskuka.
Edhe njëherë ai ripërsëriti qëndrimin se Qeveria duhet të ndalojë bisedimet në Bruksel dhe të kërkojë gjërat që i përkasin interesit kombëtar.
“Unë mendoj që qeveria duhet të ndalojë bisedimet në Bruksel dhe të shtrojë kërkesat legjitime të Kosovës për kompensimin e dëmeve të luftës të dëmeve ekonomike, kompensimin për viktimat e luftës, kthimin e pasurisë së Kosovës, fondit pensional nga Serbia. Kosova në Bruksel duhet të kërkojë gjërat që i përkasin interesit kombëtar, ndërsa gjërat e rregullimit brendshëm të Kosovës duhet të diskutojë në Prishtinë, gjersa për integrimin e serbëve të Kosovës duhet të bisedojmë me liderët lokal të serbëve të Kosovës”, tha Haskuka për Periksopin. /Periskopi/




