Andin Lokaj sulmon FFK-në për eliminimin e Kosovës
Lokaj i ka përmendur disa fakte, që sipas tij kanë ndikuar në eliminimin e Kosovës, e që përgjegjës për to është vetë institucioni më i lart i futbollit në vend.
“Federata e futbollit jo vetëm që nuk ishte në gjendje të siguronte vizën për ndihmës-trajnerin e Kombëtares kosovare të futsallit Suad Keçi për udhëtim drejt Qipros ku u zhvilluan tre ndeshjet kualifikuese për Euro 2018 që do të mbahet në Slloveni, por ndikoi direkt edhe në eliminimin e shtetit tonë që në fazën e parë kualifikuese”, ka shkruar Lokaj në llogarinë e tij në rrjetin social, Facebook.
“Kjo për faktin që kjo Federatë është totalisht e papërgjegjshme karshi talentit vendor dhe nuk e lodhi kryt që të mbaj 5 lojtarët më të mirë të futsallit kosovar (Narcist Alibegu, Halim Selmanaj, Azem Ibrahimi, Fidan Gashi dhe Mentor Mejzini) të cilët pas injorancës që iu bë nga ana e Federatës “perde” vendosën të luajnë për Shqipërinë. Ky rast edhe njëherë dëshmon sesa ka seriozitet në punën e institucionit kryesor sportiv në vend”, ka përfunduar gazetari dhe komentatori kosovar. /Zëri/



