“Nëse muri në veri nuk rrënohet, qeveria të shkarkohet me mocion mosbesimi nga deputetët”
Në një prononcim për ‘Indeksonline’, deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Gëzim Kelmendi ka treguar se muri në veri është dashur që të rrënohet qysh në fillim, ndërsa nëse qeveria këtë nuk ka guxim ta bëjë atëherë duhet të shkarkohet me “mocion mosbesimi” nga deputetët.
“Sa i përket murit i cili është ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës, ky mur është dashur të rrënohet menjëherë. Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë ku është cekur se deri në fund të janarit do të rrënohet muri. Tash jemi në shkurt dhe nuk kemi asgjë konkrete nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Përndryshe, ky mur duhet të rrënohet menjëherë, nëse Qeveria e Kosovës nuk e ka guximin ta rrënoj, atëherë kjo Qeveri duhet me “mocion mosbesimi” të shkarkohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës”, ka përfunduar Kelmendi.
Po ashtu Kelmendi ka treguar se sa i përket çështjes së demarkacionit kjo pikë mundë të arrihet vetëm nëse nuk preken assesi pikat kufitare: Pejë-Kullë-Rozhajë dhe Pejë-Çakor.
“Demarkacioni duhet të arrihet duke mos ndryshuar pikat kufitare në dy drejtimet: Pejë -Kullë-Rozhajë dhe Pejë-Çakor. Ngase aktualisht me këtë marrëveshje aktuale të cilën e kam refuzuar unë dhe të tjerët, Kosova humb shumë sipërfaqe tokësore në dy drejtimet, rreth 5 km”, ka thënë Kelmendi.



