2 mijë e 376 biznese u shuan vitin e kaluar
Që nga viti 2009 sipas shënimeve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës nuk është shënuar shuarje më e madhe e bizneseve se ajo që ndodhi në vitin 2016.
Vitin e kaluar u shuan 2 mijë e 376 biznese, ndërsa në vitin 2015 veprimtarinë biznesore e kishin ndërprerë 2 mijë e 205 ndërmarrje. Kjo shifër e shuarjes doli nga hulumtimi i ASK-së i titulluar “Repertori Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë-TM4-2016”.
Megjithë shuarjen e shumë prej tyre, vitin e kaluar u regjistruan më shumë biznese se në vitin 2015.
ASK-ja në hulumtim bën me dije se në vitin 2016 janë regjistruar 10 mijë e 424 biznese të reja me një rritje prej 6 për qind në krahasim me vitin 2015.
Në periudhën tetor-dhjetor 2016 tregtia dominoi veprimtaritë e bizneseve të regjistruara.
“Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me 587 ndërmarrje të regjistruara (26.1%), prodhimi me 246 (10.9%), bujqësia, pylltaria dhe peshkataria me 234 (10.4%), akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 210 (9.3%), aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike 179 (8.0%) si dhe ndërtimtaria me 177 ndërmarrje (7.9%) ndërsa aktivitetet tjera marrin pjesë në shkallë më të vogël,” thuhet në publikim.
Ndërmarrjet e regjistruara me katër të punësuar dominuan në tre muajt e fundit të 2016-ës.
“Kategoria e numrit të punësuarve nga 1 deri 4 të punësuar përbën 2170 ndërmarrje apo 96.4% të ndërmarrjeve të regjistruara, kategoria me 5 deri 9 me 54 (1.4%), 10 deri në 19 me 19 ndërmarrje (0.8%), 20 deri 249 të punësuar me 8 ndërmarrje (0.4%), ndërsa në kategorinë 250+ nuk ka asnjë ndërmarrje të regjistruara gjatë këtij tremujori,” tregon repertori i ASK-së.
Më së shumti biznese në periudhën tetor-dhjetor 2016 u regjistruan në Komunën e Prishtinës.
“Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor mbizotëron Prishtina me 625 ndërmarrje të regjistruara (shprehur në përqindje 27.8%), Ferizaj me 196 (8.7%), Prizreni me 163 (7.2%), Gjilani me 123 (5.5%), Peja me 103 (4.6%), ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor,” sqaron ASK-ja.
Edhe në muajt korrik-shtator të 2016-ës janë regjistruar kryesisht ndërmarrje të vogla dhe tregtare me numër më të madh në Komunën e Prishtinës.



