Pas raportimit të Periskopit për skandalin e Liburn Aliut, Agjencia Kundër Korrupsionit thotë se do ta trajtojë rastin

Pas raportimit të Periskopit për skandalin e Liburn Aliut, Agjencia Kundër Korrupsionit thotë se do ta trajtojë rastin

Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu sot njoftoi për nënshkrimin e një marrëveshje me Kolegjin ‘UBT’, aty edhe ku merr një pagë të majme si profesor. Përveç ministër – profesor Aliut, në nënshkrimin e marrëveshjes, shihet edhe shefja e kabinetit të tij, Rineta Jashari – e cila po ashtu merr një pagë nga UBT si ligjëruese në kolegjin privat.

Pas publikimit të nënshkrimit të marrëveshjes Periskopi ka kërkuar një përgjigje nga Agjencia Kundër Korrupsionit për të mësuar nëse ka konflikt të interesit, apo favorizim meqë një ftesë e tillë nuk i është bërë Universitetit Publik “Hasan Prishtina”.

Në AKK, kanë thënë se do t’i trajtojnë këto informata.

“Agjencia kundër Korrupsionit konfirmon pranimin e informatës. Informata juaj do të trajtohet brenda afateve ligjore”, ka bërë të ditur për Periskopin zyra për informim e AKK-së.

Periskopi ka raportuar sot se Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është duke e favorizuar hapur kolegjin UBT, nga i cili merr një pagë si profesor.

Nënshkrimin në marrëveshje e kanë hedhur, ministri, Liburn Aliu dhe punëdhënësi i tij tek kolegji UBT, Edmond Hajrizi.

Në ueb-faqen këtij kolegji figuron se ministri Aliu është mësimdhënës, dhe merr një pagë në vlerë prej 1128 eurove në muaj.

Në fotografinë që Ministria ka publikuar sot, me Aliun shihet që është edhe Rineta Jashari – shefe e stafit të kabinetit të Aliut.

Periskopi ka gjetur se edhe Jashari është ligjëruese në UBT dhe merr një pagë në vlerë prej 800 eurove./Periskopi/

Shpërndaje në: