Ndodh edhe kjo: I burgosuri bëhet gardian në burgun e Sigurisë së Lartë të Dyzit

Ndodh edhe kjo: I burgosuri bëhet gardian në burgun e Sigurisë së Lartë të Dyzit

Në burgun e Sigurisë së Lartë, përgjegjës për ruajtjen, sigurinë dhe mbikëqyrjen e të dënuarve do të jetë një person i cili ka qenë dy herë i burgosur.

Në fillim të këtij muaji, Shërbimi Korrektues i Kosovës, zbardhi listën e kandidatëve të pranuar për zyrtarë korrektues.

Në mesin e dhjetë të përzgjedhurve që do të shërbejnë brenda Burgut të Sigurisë së Lartë, ishte edhe Rexhep Shillova.

Ky i fundit, që do të jetë përgjegjës për ruajtjen, sigurinë dhe mbikëqyrjen e të burgosurve në burg, ka qenë edhe vetë dy herë i burgosur.

Kështu tregon një dokument i brendshëm i Ministrisë së Drejtësisë, të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi, e në të cilin shpërfaqen detajet për rastet kur Shillova ka qenë në burg.

Herën e parë ai ishte arrestuar më 9 gusht të vitit 2010, për veprën penale “hyrje në sistemin kompjuterik”.

Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Viti, Shillova kishte qëndruar për një muaj në burgun e Gjilanit.

Në vitin 2016, tash gardiani i Burgut të Sigurisë së Lartë, ishte arrestuar sërish nga Policia, për veprën penale “kundërvajtje”.

I njëjti kishte qëndruar edhe tetë ditë në burgun e Gjilanit, pas vendimit që kishte marrë Gjykata Themelore e Gjilanit, dega në Kamenicë.

Pavarësisht dy veprave penale, asaj të “hyrjes në sistemin kompjuterik” dhe “kundërvajtjes”, por dhe burgut të mbajtur – Shillova nga Kamenica është pranuar si gardian në konkursin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Institucionit që vepron nën ombrellën e Ministrisë Drejtësisë, s’i kanë penguar këto fakte për ta renditur Shillovën të shtatin në listën e dhjetë zyrtarëve korrektues për burgun e “Dyzit”.

SHKK-së i ka mjaftuar vetëm dokumenti që Shillova “nuk është nën hetime” për ta pranuar atë si përgjegjës të të burgosurve, në burgun ku dënimin e vuajnë personat me rrezikshmëri të lartë.

“Ju njoftoj se dokumentacionet e kërkuar për Konkursin Zyrtar Korrektues, ku është kërkuar edhe vërtetimi nga gjykata, kandidati në fjalë, në aplikacionin e bashkangjitur ka sjellë edhe certifikatën e lëshuar nga gjykata… me të cilën dëshmon se i njëjti nuk është dënuar dhe nuk është duke u zhvilluar procedure penale ndaj tij”, thuhet në përgjigjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

As gjykata përkatëse që e ka lëshuar vërtetimin për Shillovën ende nuk ka kthyer përgjigje. Përgjigje nuk ka kthyer as ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kur është pyetur nëse do të bëjë thirrje që të merren masa ndaj Shillovës, person ky i cili ka qenë dy herë i burgosur.

Ndryshe, institucioni që e ka pranuar gardianin në punë, që nga dje ka mbetur pa drejtues. Kjo pasi Ali Gashi, ish zv.drejtori që merrej me menaxhimin e burgjeve të Kosovës, ka dhënë dorëheqje.

 

 

Shpërndaje në: