Pozita: Asociacioni dhe Demarkacioni duhet të kryhen; Opozita: Nuk do të bëhet asnjëra
Pushteti vazhdon ta fajësojë opozitën për mos kryerjen e këtyre dy proceseve, derisa opozita thotë se nuk do të lejojnë jetësimin e asnjërës.
Madje, Asociacioni dhe Demarkacioni mund të mos përfundojnë këtë vit, e ndoshta as nga kjo legjislaturë.
Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli thotë se çështja e Demarkacionit dhe Asociacionit, është shumë me rëndësi për vet Kosovën dhe qytetarët e saj.
Sipas tij, nuk duhet t’iu japin argumente vendeve të cilat nuk e njohin Kosovën, ose vendet që kanë skepticizëm ndaj Kosovës që të mos i kryejnë obligimet e tyre si shtet.
Edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri thekson se Asociacioni duhet të formohet, porse kjo duhet të bëhet konform Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Beqiri ka disa fjalë edhe për deputetët, siç i quan ai, me korrespodencë dhe që kanë nga dy- tre pasaporta.
Beqiri nuk ka mundur të thotë se kur mund të formohet Asociacioni, e as ratifikohet Demarkacioni, madje, ka vënë në dyshim nëse kjo do të ndodh brenda kësaj legjislature dhe këtij mandati qeverisës.
Mirëpo, opozita vazhdon të këmbëngul se nuk do të lejojnë formimin e Asociacionit, e as ratifikimin e marrëveshjes aktuale për Demarkacionin.
Driton Çaushi nga Vetëvendosje, thotë se Asociacioni është antikushtetues në 23 nenet e Kushtetutës dhe e kanë gatishmërinë për të kundërshtuar me çdo mjet nëse një gjë e tillë mund të rikthehet në Kuvend.
As marrëveshja për Demarkacionin, sipas Çaushit nuk mund të rikthehet në Kuvend ashtu siç është tani, sepse është dëshmuar se është gabim.
Si pasojë e kundërshtimeve opozitare, vitin që shkoi opozita ka organizuar disa protesta, ka bllokuar shumë seanca plenare ku ka hedhur edhe gaz lotsjellës në të cilat është pamundësuar themelimi i Asociacionit dhe ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi./KosovaPress/



