Biznesmeni shqiptar: E bleva këtë klub italian, por më gënjyen
Biznesmeni shqiptar ka dhënë një intervistë për mediat italiane duke sqaruar arsyet e falimentimit të klubit duke hedhur poshtë të gjithë hipotezat se ka qenë faji i tij.
“Ideja për të blerë klubin erdhi nga një avokat italian. Unë mora dokumentet dhe pranova, por me kushte të veçanta. E para ishte që klubi të mos kishte më 78 milionë euro borxhe, por pastaj, dy javë pasi morëm drejtimin, zbuluam se borxhet ishin 214 milionë euro, plus 50 milionë euro të tjera të cilët do të prodhoheshin në 3-4 muajt e ardhshëm të aktivitetit.
Ndaj Parma kishte 265 milionë euro borxhe dhe ishte e fundit në klasifikim, me probleme të ndryshme ligjore dhe rreth 100 lojtarë që figuronin në regjistrin e klubit. Girardi (presidenti nga i cili bleu klubin) thotë se jam unë përgjegjësi për falimentimin? Nuk e di se mund të jetë e mundur të grumbullosh 265 milionë euro detyrime dhe 100 lojtarë në bordero me një administrim dyjavor…”, shpjegoi biznesmeni shqiptar i cili tregoi se pse vendosi të hiqte dorë nga klubi.
”Vendosa ta shisja kur e kuptuam se kjo do të ishte rruga më e thjeshtë, nuk ekzistonin më kushtet për të vazhduar. Mundësia e vetme ishte të denonconim drejtuesit e vjetër dhe të dërgonim librat financiarë te institucionet përkatëse, por vendosa që të mos dëmtoja ish-drejtuesit”, përfundoi Taçi.



