Shala i kundërpërgjigjet Hoxhës: Do të japësh përgjegjësi për atë që ke deklaruar
Në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, Shala ka shkruar se kjo akuzë është shumë e rëndë. Sipas tij, me i thënë dikujt një gjë të tillë, ose duhet me pas fakt shumë të fortë, ose duhesh me qenë paranojak, shkruan Periskopi.
Lexoni të plotë reagimin e tij:
Kryetari i Sindikatës së pavarur të RTK-së, Fadil Hoxha thotë se drejtori i Televizionit, Mentor Shala i ka kërcënuar me vrasje.
Punëtori i RTK-së, Fadil Hoxha, sot paska thanë që Drejtori i Përgjithshëm Mentor Shala i paska kërcënu me vrasje!!!
Interesant!!!
Jam shumë i sigurtë se ky djal ose nuk di me kuptu atë që shkruhet ose është pjesë e një skenari të përgatitur nga dikush tjetër! Kjo e dyta është mëse e sigurt!
Për publikun duhet ta sqarojë, për shkak të ndonjë keqkuptimi të mundshëm, se njihem si person shumë paqësor, familjarisht me gjenerata të tëra asnjëherë nuk kemi pas telashe me askënd e lere më ndonjë konflikt të rënd, asnjëherë në jetën time nuk jam përleshur as fizikisht me askënd madje as si fëmijë, jam person shumë i qetë dhe i hapur për komunikim për të gjithë.
E ndjeva si nevojë të sqarojë për publikun këtë pasi që ky personi (Fadili) paska ba një akuzë shumë të rëndë. Me i thanë dikujt që po do me më vra, ose duhesh me pas fakt shumë të fortë ose duhesh me qenë paranojak dhe e fundit ose duhesh me qenë pjesë e ndonjë skenari nga mësuesit e tij për të tentuar ta dëmtojnë personalitetin tim!
Në postimin tim të mëherëshëm, i cili është keqinterpretuar, kam dashur të them që partitë politike po tentojnë ta infektojnë RTK përmes disa ‘bakterieve’ që i kanë në RTK. Ndërsa ‘antibiotiku’ janë rregulloret e RTK të cilat kushdo që i shkel ndëshkohet!
Në polici Fadili ka me tregu skenar i kujt është ky dhe ka me dhanë përgjegjësi për këtë që ka deklaruar. Ndërsa në të njëjtën kohë ka bërë shkelje të rëndë të rregulloreve të RTK-së, që nuk është hera e parë.
Zgjidhjen e problemeve kurrë nuk e shoh përmes dhunës, por përmes rregullave ligjore.
P.S. Këtë postim ndjeva obligim me ba edhe për shkak të familjes sime dhe atyre që më njohin, të cilët ishin shqetësuar!



